Fatjon Cuka
09 Mars 2016•Përditësim: 10 Mars 2016
TIRANË (AA) - Është prezantuar sot në Tiranë "Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020”, i cili është i miratuar nga qeveria shqipatre, raporton Anadolu Agency (AA).
Plani është prezantuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili në fjalën e tij ka theksuar se ky dokument më shumë se sa një plan i institucioneve shtetërore do të jetë një plan për komunitetet që iu dedikohet.
"Një nga pikat kryesore të planit është regjistrimi i komunitetit. Problem shumë i madh i komunitetit është mundësia për punësim, ku ne si ministri kemi të detajuar planin për nxitjen e punësimit të komunitetit rom dhe egjiptian. Për sa i përket shkollimit plani është i detajuar dhe i qartë"- u shpreh Klosi në fjalën e tij gjatë prezantimit.
Plani në fjalë i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë në dhjetor të vitit 2015 u prezantua në prani të autoriteteve të qeverisjes qendrore dhe lokale, aktivistëve nga komunitetit romë dhe egjiptianë, organizatave të shoqërisë civile, etj.
Plani Kombëtar i Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020” përmban masa për rritjen e aksesit në shërbimet publike gjatë pesë viteve të ardhshme nëpërmjet eliminimit të barrierave për arsimim gjithëpërfshirës, shëndet më të mirë, rritje të mirëqenies nëpërmjet punësimit formal, përmirësimit të situatës së strehimit dhe kujdesit social dhe si rrjedhojë integrimit të plotë të komuniteteve rome dhe egjiptiane.