Ekip
10 Tetor 2017•Përditësim: 10 Tetor 2017
BARCELONË (AA) – Prani e madhe e policisë është vërejtur sot në Barcelonë para institucioneve publike dhe rreth godinës së Parlamentit rajonal katalonas, ku për sot është paralajmëruar seanca në të cilën, pretendohet se mund të shpallet pavarësia e Kataolonjës nga Spanja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti rajonal i Katalonjës, me kërkesë të presidentit katalonas Carles Puigdemont, do të mbajë seancë sot, ndërsa lideri i rajonit autonom spanjoll do t’iu drejtohet deputetëve.
Në seancë pretendohet se do të bisedohet për zhvillimet politike në krahinë, ndërsa pritet edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë së Katalonjës.
Mbështetësit e pavarësisë së Katalonjës pohojnë se gjatë seancës parlamentare do të shpallet pavarësia e këtij rajoni, ndërsa disa deputetë të koalicionit qeveritar theksojnë se ky hap do të jetë vetëm simbolik.
Ministri spanjoll thirrje për "arsye të shëndoshë" për Katalonjën
Ministri spanjoll i Ekonomisë Luis de Guindos shfaqi shpresë se “arsyeja e shëndoshë” do të mbizotërojë dhe se liderët separatistë katalonjas do të përmbahen nga shpallja e pavarësisë sot pasdite.
Duke folur para fillimit të takimit të ministrave të ekonomisë të vendeve të Bashkimit Evropian në Luksemburg, De Guindos akuzoi Qeverinë “radikale” dhe “të papërgjegjshme” të Puigdemont për qëndrimin aktual dhe tha se kolegët e tij evropianë shprehën mbështetje për Qeverinë spanjolle.
“Nuk bëhet fjalë për pavarësinë, por ose jo. Bëhet fjalë për rebelim kundër sundimit të së drejtës, ndërsa sundimi i së drejtës është bazë për koekzistim, jo vetëm në Spanjë, por edhe në Evropë”, tha De Guindos.
Ditëve të fundit në Barcelonë dhe në Madrid janë mbajtur tubime masive në të cilat qytetarët bënin thirrje për unitet kombëtar.
Si do të shpallet pavarësia dhe çfarë dhe si do të jetë përgjigje e Qeverisë së Spanjës, mbeten çështjet kyçe. Megjithatë, kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, më parë deklaroi se do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara për të ndaluar shkëputjen e Katalonjës.
Qeveria katalanase njoftoi se mbi 90 për qind e personave që kanë votuar në referendumin më 1 tetor, votuan pro shkëputjes nga Spanja, ndërsa Qeveria qendrore në Madrid e shpalli referendumin si jokushtetues. Pjesëmarrja në referendum ishte 43 për qind.