Kaan Bozdoğan
08 Shtator 2023•Përditësim: 09 Shtator 2023
Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti në Indi për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G20, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan mbërriti me avionin presidencial në aeroportin ushtarak AFS Palam.
Në aeroport, Erdoğan u prit nga ambasadori i Türkiye-s në New Delhi, Fırat Sunel dhe bashkëshortja e tij Yonca Sunel si dhe nga disa zyrtarët të Indisë, dhe nga këtu ai u nis drejt hotelit ku do të qëndrojë.
Bashkë me presidentin Erdoğan dhe bashkëshorten e tij Emine Erdoğan, në New Delhi mbërritën edhe ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, ministri i Thesarit dhe Financave, Mehmet Şimşek, kreu i Inteligjencës turke MIT, İbrahim Kalın, kreu i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, kryekëshilltari i Presidentit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Akif Çağatay Kılıç dhe disa zyrtarë.
Në Samitin e Liderëve të G20 që do mbahet më 9-10 shtator me temën "Një Tokë, një Familje, një e Ardhme" presidenti Erdoğan do të ndajë me bashkëbiseduesit e tij elementët lidhur me luftën kundër ndryshimeve klimatike si dhe do t'u shpjegojë liderëve hapat që Türkiye ka ndërmarrë lidhur me ndryshimin klimatik.
Në kuadër të samitit, Erdoğan do të zhvillojë edhe takime kokë më kokë me liderët.