Ekip
22 prill 2023•Përditësim: 23 prill 2023
Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa priti presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva në një vizitë zyrtare sot ndërsa lideri brazilian kërkon të forcojë lidhjet me partnerin natyror të vendit të tij në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.
Presidenti portugez priti Lula da Silva-n dhe zonjën e parë të Brazilit, Rosangela da Silva në një ceremoni zyrtare në manastirin Jeronimos në Lisbonë. Portugalia është shtëpia e mbi 250 mijë brazilianëve dhe disa ishin gjithashtu në pritjen festive.
Ky është udhëtimi i parë i Lula da Silva-s në një vend evropian që kur ai mundi ish-presidentin, Jair Bolsonaro për të fituar një mandat të tretë në tetor. Ndërsa ndodhet në Portugali, lideri i majtë synon të sigurojë një sërë marrëveshjesh për tregtinë dhe migracionin.
Ai zemëroi liderët në BE dhe SHBA fundjavën e kaluar duke thënë se "Ukraina dhe Rusia zgjodhën të shkonin në luftë dhe se ndihma ushtarake perëndimore po nxiste konfliktin". Të hënën, ai priti në takim ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Lula da Silva propozoi që një grup kombesh, përfshirë Brazilin dhe Kinën, të ndërmjetësojnë për një zgjidhje paqësore të luftës. Pasi komentet e tij shkaktuan kritika të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, ai dënoi shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.
Presidenti brazilian pritej të përdorte vizitën e tij katërditore në Portugali për të ulur tensionet. Si pikë kryesore diplomatike e udhëtimit, është planifikuar rifillimi i samitit Portugali-Brazil, i cili u mbajt për herë të fundit në vitin 2016.
Ngjarja do të jetë vendi për nënshkrimin e 13 marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë një marrëveshje bashkëpunimi midis agjencive hapësinore të Brazilit dhe Portugalisë.