Felix Nkambeh Tih
18 Maj 2020•Përditësim: 18 Maj 2020
Presidenti i Tanzanisë, John Magufuli, bëri të ditur se ekonomia e Tanzanisë duhet të vazhdojë përpara pasi është më e rëndësishme se sa koronavirusi i ri (COVID-19), i cili ka vrarë 21 persona në vendin e Afrikës Lindore, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kemi pasur një sërë sëmundjesh virale, përfshirë Aids dhe fruthin. Ekonomia jonë duhet të vijë e para. Nuk duhet të flejë. Nëse lejojmë që ekonomia jonë të flejë, nuk do të marrim rroga", tha Magufuli gjatë një meshë të dielën në qytetin e tij të lindjes Chato, sipas të përditshmes lokale "The Citizen".
"Jeta duhet të vazhdojë," shtoi presidenti i Tanzanisë. Ai po ashtu tha se Tanzania ka vendosur të lërë kufijtë e saj të hapur.
"Ne ndajmë kufijtë me rreth tetë vende dhe nëse mbyllim kufijtë, do të shkatërrojmë ekonomitë e tyre", shtoi Magufuli.
Ai tha se ekonomia e vendit është në rrugën e duhur dhe do të heq kërkesat e karantinës për turistët në mënyrë që të forcojë ekonominë.
Magufuli është kritikuar për mos zbatimin e masave të rrepta për të frenuar përhapjen e virusit. Për dallim nga vendet fqinje, Tanzania nuk ka mbyllur vendet e adhurimit, me disa duke thënë se lutjet do të "mposhtin virusin".
"Djali im pasi kontraktoi virusin u mbyll në dhomën e tij, mori limon dhe xhenxhefil para se të bëhej mirë dhe tani po bën stërvitje", tha ai në një video virale të postuar të dielën, sipas të përditshmes "The Standard".
Javën e kaluar, Ambasada e SHBA-ve në Tanzani paralajmëroi se rreziku i kontraktimit të koronavirusit në Dar es Salaam, një qytet i madh dhe port tregtar në brigjet e Oqeanit Indian dhe rajone tjera të Tanzanisë është jashtëzakonisht i lartë sepse nuk ka lëshuar të dhëna të COVID-19 brenda disa javësh.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins të SHBA-ve, Tanzania ka konfirmuar 509 raste të COVID-19, me 21 vdekje dhe 183 shërime.