Jeyhun Aliyev
14 Gusht 2020•Përditësim: 14 Gusht 2020
Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, ka ftuar liderin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të vizituar vendin pas marrëveshjes për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike, njoftuan sot mediat izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).
Rivlin i kërkoi princit të kurorës së Abu Dhabi, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të vizitojë shtetin hebre duke thënë se marrëveshja e re është një pikë kthese.
"Marrëveshja midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe është një moment i rëndësishëm historik dhe strategjik për mundësi të reja në rajonin tonë. Shpresoj se ky hap do të çojë gjithashtu në forcimin e besimit midis nesh dhe popujve të rajonit, dhe në një kuptim të gjerë dhe të qëndrueshëm mes nesh të gjithëve”, tha Rivlin në Twitter.
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten arritën marrëveshje historike që do të rivendosë lidhjet diplomatike midis tyre. Emiratet u bënë vendi i tretë arab që njohu Izraelin pas Jordanisë dhe Egjiptit.
Teksa marrëveshja është mirëpritur nga disa kombe, ajo ka ngjallur zemërim të jashtëzakonshëm në shumicën e vendeve muslimane.