Muhammed Ali Akman
15 Nëntor 2017•Përditësim: 15 Nëntor 2017
BEJRUT (AA) - Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se mendojnë që presidenti i dorëhequr libanez Saad Hariri mbahet në arrest në Arabinë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Pasi kanë kaluar 12 ditë nga dorëheqja e Haririt, nuk ka asnjë arsye që ai të mos kthehet nga Arabia Suadite", thuhet në një deklaratë me shkrim nga zyra e presidentit libanez.
"Për këtë arsye, ne mendojmë se ai është ndaluar me forcë dhe po mbahet në arrest. Ne e konsiderojmë si qëndrim armiqësor ndaj Libanit ndalimin e Haririt", thuhet më tej në deklaratë.
Ndryshe, kryeministri libanez, Saad Hariri, më 4 nëntor shpalli dorëheqjen e tij teksa ndodhej në kryeqytetin saudit, Rijad.
Dorëheqja e Haririt, e cila ende nuk është miratuar nga presidenti Michel Aoun, erdhi mes tensioneve midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Aoun më herët ka thënë se nuk do të pranojë dorëheqjen e Haririt derisa të kthehet në Liban për të shpjeguar qëndrimin e tij.
Në adresimin e tij të dorëheqjes, Hariri kritikoi Iranin dhe Hezbollahun, duke i akuzuar ata për nxitje të "kryengritjes" në rajon dhe për ndërhyrje në çështjet arabe, madje duke shtuar se është i shqetësuar se ndaj tij mund të bëhet atentat.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, ka thënë se nuk ka "arsye" për Haririn të japë dorëheqje, duke e akuzuar Arabinë Saudite se e mban atë kundër vullnetit të tij dhe e ka detyruar atë të japë dorëheqje.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka hedhur poshtë pretendimet se Rijadi e ka detyruar Haririn të japë dorëheqje, duke thënë se këto janë "gënjeshtra" të shpërndara nga Hezbollahu dhe aleatët e tij.
Hariri u emërua kryeministër libanez në fund të vitit të kaluar. Para dorëheqjes së të shtunës, ai kishte udhëhequr një kabinet qeveritar prej 30 anëtarësh që përfshinte edhe dy ministra të Hezbollahut.