Hasan Esen
26 Prill 2021•Përditësim: 27 Prill 2021
Pretendohet se Britania e Madhe shqyrton njohjen e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), gjë që do të mundësojë fillimin e fluturimeve direkte mes Britanisë dhe TRNC-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e "Sunday Express" thuhet se Britania "mund të ndihmojë në ofrimin e 'një mundësie historike' për zgjidhjen paqësore të krizës politike që e ndan ishullin e Qipros në dy pjesë për gati 60 vite në takimet që do të mbahen në Gjenevë".
Presidenti i TRNC-së, Ersin Tatar në një prononcim për gazetën, tregoi se e thërret qeverinë britanike të mbështesë zgjidhjen me dy shtete që ai do të propozojë në bisedime.
Ai beson se Britania e cila u çlirua nga Bashkimi Evropian me Brexit-in, do të përmbushë rolin e garantuesit neutral dhe do të mundësojë që të ketë qasje të barabartë ndaj grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë.
Në lajm burimet e qeverisë gazetës i treguan se ministrat shqyrtojnë të njohin zyrtarisht TRNC-në si një shtet të pavarur.
Sipas lajmit zgjidhja e problemit do të ndihmojë 300 mijë turq qipriotë që jetojnë në Britani dhe se do të mundësojë nisjen e fluturimeve direkte mes dy vendeve.
Gjithashtu u potencua se mijëra shtetas britanikë do të mund të vizitojnë më lehtë Qipron Veriore dhe TRNC-ja bashkë me jugun do të shndërrohen në destinacion popullor për pushime.
Britania mund të arrijë një marrëveshje afatgjate në lidhje me dy bazat ushtarake në Qipro.
Në lajm thuhet se gjatë negociatave për Brexit-in, pretendohet se BE-ja për të ushtruar presion ndaj Britanisë, shtetasit britanikë që jetojnë në Qipron Veriore, në rast të kalimit në jug i ka kërcënuar me arrestim dhe gjobë.