Mustafa Keleş
18 Shtator 2016•Përditësim: 18 Shtator 2016
OKB (AA) - Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) do të mblidhet urgjentisht me kërkesë të Rusisë e cila pretendon se si pasojë e një sulmi të kryer nga forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA-ja në rajonin Dejr Ez-Zur të Sirisë janë vrarë 62 ushtarë të regjimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të kryer nga kryesia e KS të OKB-së theksohet se anëtarët e këshillit do të takohen në një seancë të mbyllur në orën 19.00, sipas orës lokale.
Ministria e Jashtme e Rusisë, pati njoftuar se sipas informacioneve të dhëna nga regjimi theksohet se forcat e koalicionit kanë qëlluar një bazë ushtarake të regjimit të Bashar al Asadit në Dejr Ez-Zur, në lindje të Sirisë ku si pasojë janë vrarë 62 ushtarë dhe janë plagosur mbi 100 të tjerë.
Marrëveshja e arritur mes SHBA-së dhe Rusisë për ndalimin e konflikteve në Siri për Kurban Bajramin hyri në fuqi ditën e hënë më 12 shtator në orën 18.45, sipas orës lokale. Më parë ishte njoftuar se armëpushimi do të zgjaste 1 javë, por më pas Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, njoftuan marrëveshjen për zgjatjen e armëpushimit për 2 ditë.