Barış Seçkin
06 Prill 2023•Përditësim: 07 Prill 2023
Pretendohet se ish-kryeministri italian dhe lideri i Partisë Forza Italia (FI), Silvio Berlusconi, është diagnostikuar me leukemi, transmeton Anadolu.
Në bazë të burimeve të sigurta të agjencisë italiane ANSA, pretendohet se Berlusconi 86-vjeçar, i cili u dërgua dje në spitalin San Raffaele në Milano dhe u mbajt në terapi intensive, u diagnostikua me leukemi dhe filloi kimioterapinë.
Nga spitali nuk u dha asnjë deklaratë në lidhje me gjendjen shëndetësore të Berlusconit. Në mediat italiane u tha se Berlusconi kishte probleme hematologjike (sëmundje gjaku) dhe kjo shkaktoi shqetësime.
Thuhet se ish-kryeministri italian, i cili sërish u kthye në spital pas pauzës një javore për shkak të problemeve kardiovaskulare dhe shqetësimeve të frymëmarrjes, "e kaloi natën me qetësi".
Vëllai i tij Paolo, djali i vogël Luigi dhe vajza Marina thuhet se vizituan Berlusconin në spital.
Ndërkohë, Antonio Tajani, koordinator i partisë FI të Berlusconit, i cili është edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për SKYTG24 tha: "Nuk jam mjek, kështu që nuk mund të komentoj. Problemet me gjakun janë normale tek moshat mbi 50-60 vjeç. Nuk ka nevojë për panik, por sigurisht duhet të flasim me mjekët, assesi nuk mund të komentoj rreth mjekësisë. Kam biseduar me prof. (Alberto) Zangrillo. Ai tha se gjendja e tij është stabile".
Në një prononcim për kanalin Rai, Tajani bëri me dije se Berlusconi në mëngjes ka telefonuar drejtuesit e lartë të partisë së tij dhe se situata e tij është në vëzhgim. Berlusconi u dërgua në spitalin San Raffaele për qëllime kontrolli më 27 mars dhe u lirua pasi qëndroi 3 ditë në spital.
Ai ishte shtruar më parë në spitalin San Raffaele në janar 2022 dhe qëndroi atje për 8 ditë për kontrolle.
Berlusconi, i cili ishte kryeministri më jetëgjatë në Itali midis 1994 dhe 2011, u infektua me COVID-19 në shtator 2020 dhe u shërua pas një periudhe dy-javore.