Sibel Vezaj
22 Tetor 2016•Përditësim: 22 Tetor 2016
PRISHTINË (AA)- Asambleja Parlamentare e NATO-s në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe me përkrahjen e Qeverisë Zvicerane, sot në Prishtinë filloi seminarin e 93-të "Rose-Rothe", në të cilin po marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, rreth 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, raporton Anadolu Agency (AA).
Në sesionin e parë të këtij seminari, ku tema kryesore ishte “Vlerësimi dhe konfirmimi i perspektivës Euro-Atlantike të Kosovës”, fjalën e hapjes e bëri nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, Xhavit Haliti. Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe angazhimin e NATO-s në Kosovë, Haliti tha se “Seminari u përcjell gjithë vendeve të Ballkanit, anëtarëve të NATO-s dhe të BE-së mesazhin se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë."
Paolo Alli, nënkryetar i AP-së së NATO-s theksoi se mbajtja e këtij seminari është një rast historik dhe tha se “Jam i inkurajuar nga zhvillimet pozitive në Prishtinë, si dhe me dialogun tuaj me Beogradin. Çështja është se ne kemi një gjendje të re në Kosovë, nga aspekti i sigurisë Kosova është në përgjithësi stabile edhe pse ka sfida të caktuara. Natyrisht NATO vazhdon të luaj rol të rëndësishëm në rajon dhe të gjitha palët pranojnë që prania e KFOR-it është kontribut jetik për një mjedis të qetë dhe të sigurtë".
Ai gjithashtu foli për mospjesëmarrjen të negaciatorit të Beogradit për dialog me Prishtinën, Marko Gjuriç, i cili kishte anuluar pjesëmarrjen pas reagimit të Kuvendit për ndërrimin e emërimit të tij si drejtor i “Zyrës për Kosovë dhe Metohi”.
Kurse, Kryeparlamentari i Kosovës, Kardi Veseli gjatë këtij seminari foli rreth progreseve dhe zhvillimeve të fundit në vend. Duke iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve, Veseli theksoi se Kosova është ndër vendet e para për parandalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja dhe vendi i parë që ka nxjerrë ligjin për parandalimin e financimit të grupeve terroriste. “Kosova asnjëherë nuk ka qenë burim i rekrutimit për terroristët”, tha ai.
Sa i përket çështjes së dialogut me vendet fqinje, Veseli tha se “Ne kemi raporte të shkëlqyeshme me fqinjët, me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Mirëpo po bëjmë përpjekje që të krijojmë raporte të mira edhe me Serbinë. Do ta vazhdojmë dialogun edhe pse në këtë proces ka skepticizma nga spektri jonë politik. Do të vazhdojmë marrëveshjet si dy etnitete dhe shtete të pavarura dhe sovrane".
Sa i përket transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Veseli tha se Kosova është e gatshme për ushtri dhe shtoi se për këtë nevojitet një konsensus i përbashkët nacional, brenda Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtar. Kurse për çështjen e Demarkacionit me kufirin me Malin e Zi, Veseli vlerësoi qëndrimin pragmatik të palës malazeze dhe shtoi se kjo çështje do kryhet së shpejti.
Kurse Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se “Kosova ka perspektivë të qartë evropiane. Jam e impresionuar se që nga ardhja ime këtu në qershor të këtij viti secili më thotë se rruga evropiane është interes nacional i Kosovës, që është forca unifikuese e Kosovës dhe politikë e bashkimit shtetëror".
Ajo shtoi se për mbështetjen e reformave të nevojshme, BE ka vënë në dispozicion instrumentin e asistencës së para-anëtarësimit për Ballkanin perëndimor, i cili shkon deri në 11.7 miliardë euro, për periudhën deri në vitin 2020, nga të cilat 650 milionë janë alokuar për Kosovën.
Ky seminar do të vazhdojë deri më 24 tetor, ku do të diskutohet për perspektivën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë. Seminari "Rose Roth", i cili organizohet që nga viti 1991, më parë është organizuar edhe në vende tjera të Ballkanit, si në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Malin e Zi, Turqi, Shqipëri, Kroaci, por kjo është hera e parë e organizimit të tij në Kosovë.