Ekip
07 Mars 2022•Përditësim: 08 Mars 2022
Në gjithë Rusinë dje janë mbajtur protesta, ku demonstruesit kërkonin dhënien fund të luftës dhe vendosjen e paqes në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Protesta u mbajtën në Moskë, Shën Petersburg dhe në qytete tjera ruse, të cilat u organizuan me thirrje të opozitarit rus Aleksey Navalni, i cili është futur në listën e personave të lidhur me terrorizmin.
Policia ndërmori masa të rrepta sigurie ndërsa në rrugët dhe sheshet në qendër të Moskës u vendosën barrikada.
Masa e tubuar në sheshin "Manezhnaya" pranë Sheshit të Kuq, ku nuk lejohej hyrja, kërkuan nga qeveria ruse të ndalë luftën në Ukrainë dhe të sigurojë paqen.
Qindra persona marshuan rreth qendrës së Shën Petersburgut duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur parulla kundër luftës.
Gjatë ndërhyrjes në protesta, ku ishin mbledhur kryesisht protestues të rinj, policia kreu kontroll të identifikimit dhe ndaloi protestuesit.
Sipas burimeve të opozitës, demonstrata u mbajtën në të paktën 50 qytete të Rusisë, ndërsa policia arrestoi të paktën 2.500 protestues.