Faruk Zorlu
22 Tetor 2019•Përditësim: 23 Tetor 2019
Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera tha se do të takojë liderët e partive politike për të kërkuar zgjidhje për problemet që kanë përfshirë shtetin në kohën kur po mbahen protesta të dhunshme kundër rritjes së çmimit të metros, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në pallatin e qeverisë La Moneda, presidenti Pinera tha: "Do të takoj liderët e opozitës për të gjetur zgjidhje, me shpresë se do të arrihet përparim".
Të hënën, qindra protestues vërshuan stacionet e metros në Santiago, ku protestat ishin të dhunshme pasi forcat e sigurisë përdorën forcë kundër demonstruesve që hynin në metro pa bërë pagesë.
Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës pasi protestuesit dëmtuan disa stacione të metros.
"Sot, ne po punojmë për disa çështje, siç është përmirësimi i kushteve të pensionit, ulja e çmimeve të ilaçeve dhe përmirësimi i sistemit shëndetësor", shtoi Pinera.
Të shtunën u shpall gjendje e jashtëzakonshme 15-ditëshe. Numri i zonave ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme është rritur që kur filluan protestat kundër rritjes së çmimit të metros, pavarësisht faktit se qeveria u tërhoq nga rritja e çmimit.
Pas rajonit metropolitan, i cili është i banuar nga pothuajse 7 milionë njerëz, gjendje e jashtëzakonshme u shpall edhe në qytetet Valparaiso, Concepcion, Rencagua, Coquimbo, La Serena dhe Antofagasta.
"Ne jemi në luftë me një armik të fuqishëm, i cili dëshiron të përdorë dhunë pa kufij", tha Pinera në një transmetim të drejtpërdrejt në Twitter.
"Nesër do të kemi ditë të vështirë", shtoi ai, duke thënë se "kryengritësit" kanë një shkallë të organizimit logjistik që është tipik për organizatat kriminale.
Duke theksuar se nuk është koha për paqartësi, Pinera u bëri thirrje banorëve të Kilit që të bashkohen kundër dhunës dhe delikuencës.