Elena Teslova
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
MOSKË (AA) - Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, tubacioni i gazit Turkstream deri në fund të vitit 2019 do të jetë plotësisht funksional, transmeton Anadolu Agency (AA).
Para vizitës së tij në Beograd, Putin për gazetat serbe “Politika” dhe “Večernjih novosti” tha se gjiganti rus i gazit Gazprom po shqyrton opsione të ndryshme në lidhje me transportin e mëtejshëm të gazit të Turkstream në Evropë.
“Një nga opsionet është të transportojë lëndë djegëse përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë në Baumgarten të Austrisë. Në këtë rast, Serbia jo vetëm që do të përdorë gazin rus, por do të lehtësojë edhe tranzitin e tij. Kjo do të sjellë dobi të madhe në ekonominë serbe, do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të forcojë sigurinë e energjisë në vendin tuaj dhe në përgjithësi në Evropën Juglindore”, tha Putin.
Një vendim përfundimtar do të merret në varësi të pozitës së Bashkimit Evropian (BE). Putin theksoi se Rusia ka nevojë për garanci që “planet për të zgjeruar tubacioni Turkstream nuk do të pengohen nga një vendim arbitrar politik nga ana e Brukselit”.
Projekti Turkstream është një tubacion eksportues i gazit i përbërë nga dy linja prej 930 kilometrash, secili prej tyre me një kapacitet prej 15.75 miliardë metra kub. Tubacioni është vendosur të kalojë nga Rusia në Turqi nën Detin e Zi dhe të zgjerohet më tej me vendet fqinje të Turqisë.
Linja e parë Turkstream ka për qëllim furnizimin e gazit për konsumatorët turq, ndërsa linja e dytë për furnizimin me gaz në Evropën Jugore dhe Juglindore.