Yusuf Özcan
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
PARIS (AA) - Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Britania ndoshta do të kërkojë kohë shtesë nga BE-ja në lidhje me marrëveshjen për largimin (Brexit) që kryeministrja Theresa May arriti me Bashkimin Evropian (BE), marrëveshje kjo e cila u refuzua në një votim të mbajtur mbrëmë në parlamentin britanik, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një takim në lagjen Grand Bourgtheroulde për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve të shkaktuara nga “jelekët e verdhë”, Macron ka bërë disa deklarata në lidhje me refuzimin e marrëveshjes Brexit në parlamentin britanik.
Macron ka bërë të ditur se pas refuzimit mund të realizohen tre skenarë, ku i pari është anulimi i marrëveshjes Brexit, ndërsa sipas tij në këtë situatë britanikët do të jenë ata që do të humbin.
Ndërsa skenari i dytë, sipas Macron, do të jetë që Britania të parashtrojë kërkesa të reja në lidhje me marrëveshjen me BE-në, por se marrëveshja nuk mund të hapet më për negociata.
Në skenarin e tretë që sipas tij është marrëveshja më e mundshme që mund të realizohet, Macron pasi ka vënë në dukje se Britania do të kërkojë kohë shtesë nga BE-ja në lidhje me marrëveshjen tha se "Ndoshta ata do të hyjnë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian për të gjetur diçka tjetër. Kjo krijon shumë pasiguri dhe shqetësim"
"Referendumi, u manipulua nga njerëz që prodhuan lajme të rreme nga jashtë", tha ndër të tjera Macron duke bërë të ditur se pas votimit, presioni ndodhet në anën britanike.
Në votimin e zhvilluar në parlamentin britanik marrëveshja Brexit që kryeministrja britanike, Theresa May, e arriti me BE-në u refuzua me 432 vota kundër dhe 202 pro.