Hakan Ceyhan Aydoğan
29 Dhjetor 2016•Përditësim: 30 Dhjetor 2016
MOSKË (AA) – Ministri rus i Transportit, Maksim Sokolov ka thënë se ka përfunduar pjesa kryesore e punimeve të kërkimit për avionin rus të llojit Tu-154 i cili më 25 dhjetor u rrëzua në Detin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni i krijuar nga qeveria e Rusisë dhe i kryesuar nga Sokolov, ka shpalosur në konferencë për media në Moskë të dhënat e para të siguruara përmes hetimit.
Duke theksuar ka përfunduar faza kryesore e punimeve të kërkimit që po zhvillohen në Detin e Zi, Sokolov është shprehur se deri më tani janë gjetur 19 kufoma dhe dy mijë pjesë të avionit, prej të cilave 13 më të mëdha.
Sokolov ka thënë se pas përplasjes në Detin e Zi avioni është copëtuar tërësisht. Ai ka shtuar se punimet do të zhvillohen në mënyra të ndryshme, ndërkohë që 18 anije do të vazhdojnë kërkimin në rajon, kurse përmes analizimit të kutisë së zezë të nxjerrë nga deti dhe pjesëve të avionit, ekipet teknike do të zbulojnë shkaqet e aksidentit.
Po ashtu është theksuar se komisioni i mjekësisë ligjore do të identifikojë kufomat duke bërë analizat e nevojshme të ADN-së.
Nga ana tjetër, Sergei Bainetov, zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes i cili është duke marrë pjesë në komision, është shprehur se rezultatet e sakta në lidhje me shkakun e aksidentit do të mund të sigurohen të paktën pas 30 ditëve.