Ahmet Dursun
20 Korrik 2018•Përditësim: 20 Korrik 2018
ANKARA (AA) – Dy punonjës sigurie humbën jetën si pasojë e përleshjeve në mes të forcave të sigurisë dhe një grupi të armatosur në provincën Sistan dhe Baluçestan në juglindje të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, IRNA, dje në qarkun Korin pranë qytetit Zahedan në qendër të provincës ka ndodhur një përleshje në mes të forcave të sigurisë dhe një grupi të armatosur, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Si pasojë e përleshjeve dy punonjës të sigurisë kanë humbur jetën.
Në javët e fundit janë intensifikuar përleshjet në mes të forcave iraniane të sigurisë dhe grupeve të armatosura në rajon. Në përleshjet që kanë ndodhur më 25 qershor në qytetin Mirjaveh pranë provincës së njëjtë, mbetën të vrarë 3 roje kufitare dhe 3 sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në pikën zero të kufirit me Pakistanin, e mori organizata e quajtur “Jaish ul-Adl”. Më 3 korrik në një përleshje në zonën rurale të Saravanit humbi jetë një toger i stacionit policor kufitar. Poashtu ditë më parë gjatë një përleshjeje në rajonin e njëjtë humbi jetën një roje kufitare.
“Jaish ul-Adl” të cilën Irani e shpalli “organizatë terroriste” pretendon se "i mbron të drejtat e popullatës sunite Baluç", dhe zhvillon një luftë të armatosur kundër Qeverisë së Teheranit.