Fatjon Cuka
28 gusht 2020•Përditësim: 28 gusht 2020
Këshilli i Përhershëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka mbajtur një mbledhje për situatën në Bjellorusi, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në cilësinë e kryetarit të radhës të OSBE-së, ku u theksua se organizata mbështet lehtësimin e dialogut, raporton Anadolu Agency(AA).
Gjatë fjalës në mbledhje, kryeministri Rama theksoi se OSBE duhet të bëjë atë çfarë mundet për të ndihmuar Bjellorusinë dhe popullin bjellorus, sipas tij, në këtë udhëkryq mjaft të rrezikshëm në historinë e tyre.
"Është e vështirë kur ndasitë janë qartësisht kaq të thella, dhuna kaq gati të shpërthejë. Por që vendi të ecë përpara në mënyrën më të sigurt dhe mbrojtur të mundshme, do të duhet mirëkuptim i ndërsjellë e bashkëpunim brenda Bjellorusisë e roli ynë duhet të jetë që të ndihmojmë që kjo të ndodhë. Ne nuk po kërkojmë e as nuk duhet të kërkojmë rolin e vjetruar të ndërmjetësimit midis dy palëve. Thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë si një prej nesh në këtë moment mjaft kritik, siguri për secilin prej nesh e bashkëpunim me secilin prej nesh", u shpreh Rama.
Kryeministri Rama theksoi se shqetësimet lidhur me zgjedhjet presidenciale dhe arsyet për to janë të qarta. "Zgjedhjet nuk mundën të vëzhgoheshin nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut e kjo në vetvete ishte shqetësuese", u shpreh ai.
"OSBE është e mirëpozicionuar për të mbështetur lehtësimin e dialogut për të ofruar hapësirën për reflektim, për uljen e tensioneve e për të ofruar një proces për këshillim. Duhet të ketë dialog midis qeverisë dhe forcave të radhitura kundër saj dhe ne mund të luajmë një rol për ta ndihmuar këtë dialog. Sa më shpejt të nisë aq më mirë do të jetë për të gjithë, në Bjellorusi, e në këtë organizatë gjithashtu për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, dhunën e mëtejshme", tha kreu i radhës i OSBE-së.
Thirrje nga Rama ndaj Bjellorusisë që t'i japin një mundësi ofertës së OSBE-së
Kujtojmë se OSBE ka paraqitur një ofertë zyrtare në qeverinë e Bjellorusisë për një vizitë nga kryetari i OSBE-së, kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, që merr kryesimin e ardhshëm të organizatës, për takime me përfaqësuesit e qeverisë dhe përfaqësuesit e opozitës.
Rama iu ka bërë thirrje gjatë fjalës në mbledhje autoriteteve të Bjellorusisë që t'i japin një mundësi ofertës së OSBE-së që sipas tij organizata të bëhet lehtësuese e dialogut të nevojshëm për të ndihmuar Bjellorusinë.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian (BE) ka ofruar mbështetje për një angazhim të mundshëm të OSBE-së në vendosjen e dialogut mes palëve në Bjellorusi.
Protestat masive kundër rezultateve të zgjedhjeve kanë filluar që nga 9 gushti në gjithë Bjellorusinë.
Sipas rezultateve zyrtare të vendit, Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur vendin për 26 vite, fitoi zgjedhjet e fundit me 80,1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore, Svetlana Tikhanovskaya, grumbulloi vetëm 10,12 për qind të votave.