Kasım İleri
15 Tetor 2015•Përditësim: 16 Tetor 2015
WASHINGTON (AA) - Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar të mërkurën raportin vjetor mbi liritë fetare, ku theksohet se gjatë vitit 2014 një numër i madh i grupeve jo-shtetërore kanë kryer disa prej shkeljeve më të rënda në botë të lirisë fetare dhe të drejtave të tjera të njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari amerikan i Shtetit i ka dorëzuar Kongresit amerikan raportin vjetor mbi lirinë fetare në botë. Ai gjatë konferencës për mediat tha se qëllimi parësor i SHBA-ve është "të ndihmojnë qeveritë gjithkund të pranojnë se shoqëritë e tyre do të jenë më mirë me lirinë fetare se sa pa të."
Siç theksohet në raport, gjatë vitit 2014 një numër i madh i aktorëve jo-shtetëror kanë kryer disa prej abuzimeve të lirisë fetare dhe të drejtave të tjera të njeriut dhe se qeveritë e shumë vendeve, duke përfshirë Sirinë, Irakun, Nigerinë dhe Burman kanë dështuar në luftimin e këtyre personave.
Raporti veçanërisht vuri në theks shkeljet e të drejtave të minoriteteve fetare në Lindjen e Mesme nga organizata terroriste DAESH dhe grupet e tjera radikale, siç janë fronti Al-Nusra në Siri dhe Milicia shiite në Irak.
Në raportin vjetor mbi lirinë fetare në botë, Departamenti i Shtetit tregon për ekzekutimet e shumta të militantëve të DAESH-it ndaj atyre të të cilët nuk u binden rregullave të tyre që nga qershori 2014, kur edhe filloi ofensiva e kësaj organizate terroriste në Siri dhe Irak
Në anën tjetër, Fronti Al-Nusra citohet të ketë ekzekutuar liderët e pakicave fetare, duke përmendur vrasjen e shtatë klerikëve Druze në Dara të Sirisë dhe një prift jezuit në provincën Homs. Gjithashtu, milicia shiite në Irak, grup ky i cili lufton kundër DAESH-it, thuhet se kanë ekzekutuar, torturuar dhe kërcënuar sunitët në Irak, duke shkatërruar shtëpitë dhe bizneset e tyre.
Në Afrikë shkeljet më të rënda të lirisë fetare, thuhet se janë kryer nga organizata terroriste Boko Haram, e cila ka shkelur të drejtat e krishterëve në Nigeri, Kamerun dhe Çad duke kryer rrëmbimet, ekzekutimet dhe shpërthimet.
Në lidhje me Evropën, raporti jep një analizë të detajuar të anti-semitizmit në Francë dhe Gjermani, por nuk përmendi përdhosjen e xhamive në kontinentin e vjetër, ku vandalizimi i objekteve fetare muslimane në vitet e fundit ka shënuar rritje duke u bërë një dukuri e shpeshtë.
Në pjesën për Shqipërinë raporti thotë se qeveria ka bërë pak përparim në kthimin e pronave të grupeve fetare të konfiskuara gjatë sundimit të regjimit komunist. Qindra pretendime nga grupet fetare për prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist mbeten të pazgjidhura.
Në kapitullin për Kosovën, raporti i Departamentit të Shtetit për liritë fetare thotë se qeveria ka ndërmarrë disa masa për përmirësimin e tolerancës fetare mes shqiptarëve muslimanë dhe serbëve ortodoksë dhe ka dënuar vandalizimin e objekteve fetare të pakicave, por grupet fetare thonë se autoritetet komunale shpesh nuk i kanë trajtuar në mënyrë të barabartë grupet fetare, veçanërisht në lidhje me pjesët e ligjit mbi mbrojtjen e pronës fetare.
Raporti vë në dukje vazhdimin e shumë politikave kufizuese të qeverive në të gjithë botën, duke përfshirë "ligje që kriminalizojnë veprimet fetare dhe shprehjet" dhe "ndalimin e konvertimit ose prozelitizmi". Lidhur me këtë në veçanti përmendet, qeveria Burmese për kufizimin e mulimanëve dhe të krishterëve të kryejnë praktikat e tyre fetare.
Raporti i Kongresit përbëhet nga rreth 200 raportet për vendet e botës