Ekip
28 Prill 2020•Përditësim: 29 Prill 2020
Së paku 16 persona janë vrarë gjatë përleshjeve midis forcave të armatosura të Republikës Demokratike të Kongos (FARDC) dhe një grupi militantësh në krahinën verilindore të vendit të pasur me ari, Ituri, bëri të ditur ushtria, transmeton Anadolu Agency (AA).
Viktimat e luftimeve të fundjavës përfshinë 12 anëtarë të grupit të milicisë Kooperativa për Zhvillimin e Kongos (CODECO), dy ushtarë dhe dy civilë, u tha gazetarëve zëdhënësi i FARDC në Ituri, lejtnant Jules Ngongo.
Përplasjet u zhvilluan në fshatrat Kabakaba, Esasi dhe Lisey në territorin Djugu, shtoi ai.
Ngongo tha se operacioni ende është duke vazhduar dhe se ushtria është duke marrë nën kontroll zonat e okupuara nga militantët në Djugu dhe Mahagi.
Duke theksuar se janë vendosur masa për të mbrojtur civilët, Ngongo tha se militantët janë futur aty ku nuk kishte prezencë të ushtrisë.
Më shumë se 200 militantë të CODECO, të cilët janë akuzuar për mizori, u janë dorëzuar forcave qeveritare në janar derisa vazhdonte sulmi ndaj grupeve të armatosura në lindjen e paqëndrueshme të vendit.
Ushtria nisi një ofensivë në janar kundër milicive që vepronin në zonën Ituri, si pjesë e një operacioni më të gjerë të nisur tetorin e kaluar.
Disa zona të okupuara më parë nga milicitë thuhet se janë marrë nga forcat qeveritare.