GAZA (AA) - NUR EBU AISHA
Edhe pse kanë kaluar njëqind vjet nga Deklarata e Balfourit, pasojat e saj ndihen ende në jetën e palestinezëve, shkruan Anadolu Agency (AA).
Me themelimin e Izraelit pas Deklaratës së Balfourit, masa më e prekur që duhej të shpërnguleshin nga viti 1948, duke lënë prapa tokat e tyre, ishin ata që sot definohen si "refugjatët palestinezë".

Deklarata e shpallur me një letër të cilën ministri i atëhershëm i Jashtëm i Britanisë, Arthur James Balfour, ia shkroi më 2 nëntor të vitit 1917 Lordit Walter Rothschild, njërit prej figurave të shquara të lëvizjes cioniste, shihet si momenti historik më i rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit izraelit.
Bandat e armatosura cioniste në vitin 1948, pasi detyruan migrimin e rreth 957 mijë palestinezëve nga fshatrat dhe qytetet historike të Palestinës, shpallën krijimin e Izraelit më 14 maj të të njëjtit vit.
Ende nuk ka përfunduar katastrofa e dëbimit të mijëra palestinezëve, e cila filloi në mesin e shekullit të kaluar. Shumë palestinezë prej rreth 69 vitesh vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira nëpër kampe.
Përafërsisht gjysma e popullsisë palestineze kanë statusin refugjatë
Sipas Qendrës Palestineze të Statistikave, numri i refugjatëve palestinezë ka arritur në pesë milionë e 900 mijë, ndërsa Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) thekson se kjo shifër është afër pesë milionë e 300 mijë.
Teksa një milion e 528 mijë nga refugjatët në fjalë përpiqen të mbijetojnë në 61 kampe në Gaza, Bregun Perëndimor, Liban, Jordani dhe Siri, thuhet se pjesa tjetër e mbetur prej tre milionë e 800 mijë refugjatësh janë të shpërndarë në gjithë botën.
Sipas institucioneve ndërkombëtare, një milion e 300 mijë palestinezë jetojnë në Gaza, 914 mijë në Bregun Perëndimor, 447 mijë në Liban, dy milionë e 100 mijë në Jordani dhe 500 mijë palestinezë në Siri, ndërsa theksohet se në statistika nuk janë të përfshirë shumë palestinezë të tjerë të cilët janë të paregjistruar.
Popullsia e përgjithshme e palestinezëve përkon me shifrën 12 milionë 400 mijë, kurse refugjatët përbëjnë pothuajse gjysmën e këtij numri.
Ndërkohë, sipërfaqja e kampeve të ndërtuara nga OKB, ku jetojnë palestinezët, mbetet e njëjtë pavarësisht rritjes së popullsisë.
Ndërsa refugjatët në Gaza përballen me krizë humanitare për shkak të embargos së Izraelit në Gaza që nga viti 2006, sipas OKB-së bëhet e ditur se 80 për qind e popullatës së Gazës ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare për shkak të varfërisë dhe papunësisë.
Varfëria është problemi më i madh në kampe
Drejtoresha e Observatorit Euro-Mesdhetar në Bregun Perëndimor, Maha el-Husejni, tha se refugjatët palestinezë luftojnë me varfërinë dhe papunësinë për shkak të kufizimeve të rrepta në kampe.
"Forcat izraelite kryejnë shkelje të rrezikshme, siç janë dënimet administrative dhe dhuna fizike kundër refugjatëve palestinezë në Bregun Perëndimor", ka theksuar Husejni.
"80 për qind e popullsisë në kampet e Libanit është nën kufirin e varfërisë për shkak të kufizimeve ligjore të qeverisë mbi punësimin e refugjatëve," tha Husejni, duke iu referuar faktit se palestinezët në kampet libaneze jetojnë në kushte shumë të këqija.
Husejni, duke vënë në dukje se refugjatët në Jordani janë në gjendje relativisht më të mirë se ata në Siri dhe Liban, ka theksuar se mangësitë më të rëndësishme të refugjatëve në Jordani janë mungesa e shtetësisë, veçanërisht për ata që janë nga Gaza, dhe se ka rreth 100 mijë refugjatë me këtë status.
Refugjatët në Siri vazhduan të jetonin atje edhe në luftën civile që filloi në vitin 2011. Ndërkohë, lufta civile shpërtheu edhe në kampe, ndërsa refugjatët ishin dëshmitarë të ngjarjeve të cilat nga vëzhguesit politikë u cilësuan si "Nakba e re".
Sipas statistikave të grupit të punës për palestinezët në Siri, 200 refugjatë, kryesisht nga kampi i Jermukut, humbën jetën e tyre në luftën në Siri, ndërsa gjithsej kanë humbur jetën tre mijë e 605 palestinezë, nga të cilat 462 janë gra.
Për shkak të ngjarjeve në Siri, theksohet se deri në fund të vitit 2016, 85 mijë refugjatë palestinezë u larguan në Evropë, 31 mijë në Liban, 17 mijë në Jordani, tetë mijë në Turqi, gjashtë mijë në Egjipt dhe pothuajse një mijë në Gaza.
Në një deklaratë të mërkurën e kaluar në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik, May paralajmëroi se do të festojnë 100-vjetorin e Deklaratës së Balfourit.
"Jemi krenar për rolin që kemi pasur në krijimin e shtetit izraelit dhe, natyrisht, do ta festojmë me krenari 100-vjetorin e deklaratës", ishte shprehur May.
Për shkak të deklaratës, palestinezët kërkojnë nga Mbretëria e Bashkuar që ajo të kërkojë falje nga palestinezët, të njohë shtetin palestinez dhe të dënojë okupimin izraelit, ndërkohë që Britania refuzon këto kërkesa.