Ayşe Aktaş
12 Janar 2017•Përditësim: 12 Janar 2017
ANKARA (AA) – Rijad Hixhab, kryetari i Komitetit të Lartë të Bisedimeve i përbërë nga grupet opozitare siriane, i ka dërguar letër të hapur Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres, në të cilën është tërhequr vëmendja drejt shkeljeve të armëpushimit në Luginën Barada nga forcat e regjimit të Asadit dhe krizën humanitare që kanë shkaktuar ato, raporton Anadolu Agency (AA).
“I bëjmë thirrje OKB-së dhe shteteve anëtare të merren me situatën e tmerrshme në Luginën Barada që gjithnjë po përkeqësohet, t’i dënojnë krimet në rajon të kryera nga Bashar Asadi dhe milicët e mbështetur nga Irani, t’i ndalojnë menjëherë sulmet e kohëpaskohshme ndaj civilëve dhe shkeljet e hapura, si dhe të sigurojë që armëpushimi të zbatohet vendosmërisht dhe në mënyrë të plotë”, thuhet në letrën e Hixhab.
Ai ka potencuar se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 30 dhjetor, regjimi dhe mbështetësit e tij kanë shkelur 399 herë armëpushimin dhe kanë vrarë 271 persona dhe se sulmi më i dhunshëm është ndërmarrë në Luginën Barada në afërsi të Damaskut.
Duke nënvizuar se breshëria e sulmeve të regjimit dhe milicëve të mbështetur nga Irani është shtuar pas armëpushimit, Hixhab ka vënë në pah se forcat ajrore të regjimit kanë shënjestruar pa ndërprerë veçanërisht ujësjellësit në Aj el-Fixha dhe fshatrat Besime, Kafr Zejt dhe Husejinije.
“Banorët e Luginës Barada kanë qenë gjithnjë të rrezikuar nga bombardimet çnjerëzore, gjatë të cilave janë përdorur bomba fuçi dhe kështu janë shkelur haptazi ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, është shprehur më tej Hixhab në letrën e tij të hapur.