Eşref Musa,Burak Karacaoğlu
29 Janar 2019•Përditësim: 30 Janar 2019
IDLIB (AA) - Nga sulmet artilerike të regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani në vendbanimet brenda "Zonës së pakësimit të tensioneve" në Idlib të Sirisë, u vranë 11 civilë dhe 25 të tjerë u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e regjimit duke shkelur marrëveshjen e Soçit po kryejnë sulme artilerike ndaj fshatrave El Tuh dhe Hosh El Kıssabije, si dhe ndaj komunës Marat al-Numan të cilat ndodhen brenda "Zonës së pakësimit të tensioneve" në Idlib.
Mustafa Haxh Jusuf, drejtori i Mbrojtjes Civile (Baretat e Bardha) në Idlib për gazetarin e AA-së është shprehur se forcat e regjimit kanë intensifikuar sulmet në rajon gjatë orëve të fundit.
"Të paktën 13 sulme me top dhe raketa janë kryer në rajonin Marat al-Numan në pjesën periferike në jug të Idlibit. Në sulme kanë humbur jetën të paktën11 civilë si dhe janë plagosur 25 të tjerë", tha Haxh Jusuf.
Teksa ekipet e mbrojtjes civile vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit, ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet.
Forcat e regjimit të Asadit nuk kanë ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit të nënshkruar mes Turqisë dhe Rusisë për të forcuar armëpushimin në Idlib. Ndërsa opozitarët ushtarakë më 10 tetor 2018 tërhoqën armët e rënda nga rajoni ashtu siç e parashikon edhe marrëveshja e Soçit, nënshkruar më 17 shtator 2018.