Firdevs Bulut
05 Maj 2020•Përditësim: 06 Maj 2020
Ministri i Punëve të Brendshme të Libisë, Fathi Bashagha, tha se një komision investimesh i lidhur me udhëheqësin e forcave të armatosura të paligjshme në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, po bën tregti me drogë me regjimin e Assadit në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bashagha shpërndau në mediat sociale 4,4 tonë drogë të kapura në kartona qumështi në anijen EGY CROWN në Portin Said të Egjiptit. Anija po vinte nga Siria rrugës për në Bengazi.
Bashagha tha se dërgesa i përkiste një biznesmeni të afërt me regjimin sirian i cili është gjithashtu në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së.
"Komisioni i Investimeve të Ushtrisë së Haftarit ka qenë në bashkëpunim me regjimin e Assadit për ca kohë dhe po përpiqet të hapë një korridor ajror dhe detar përmes Libisë, në mënyrë që të ketë përfitime të paligjshme financiare", tha ai.
Ministri theksoi se sipas raporteve të mbikëqyrjes ndërkombëtare të financave dhe organizatave të narkotikëve, regjimi i Assadit po kontrabandon drogë në pika të caktuara, përfshirë portet lindore të Libisë përmes Sirisë dhe e financon veten me veprimtari të paligjshme ekonomike.
Bashagha thotë se qeveria libiane është në kontakt me Interpolin lidhur me këtë çështje, duke shtuar se nëse nuk ndërmerret ndonjë veprim kundër saj, do të ketë një dëm më të madh sepse grupet terroriste do të financohen pa pushim.
Ai kërkoi që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrin veprime.
Sipas mediave lokale, një anije me flamur sirian e cila ishte larguar nga Latakia, Siri, për në Benghazi, u ndalua nga autoritetet greke në dhjetor të vitit 2018 pranë Kretës.
Droga me vlerë 113 milion dollarë u kap dhe u ndërlidh me një biznesmen të afërt me regjimin sirian dhe me një individ të afërt me Haftarin në Libi.
Aktivitetet e paligjshme janë në rritje në Benghazin të kontrolluar nga Haftari. Sipas një raporti të OKB-së të publikuar në muajin janar, tregtia e armëve dhe e drogës është rritur.