Burak Karacaoğlu,Eşref Musa
21 Mars 2018•Përditësim: 22 Mars 2018
IDLIB (AA) - Njëzet civilë, prej të cilëve shumica fëmijë kanë humbur jetën nga një sulm ajror i avionëve luftarakë në fshatin Kefer Battih, në rajonin Serakib që ndodhet brenda kufijve të zonës së pakësimit të tensioneve në Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve nga gazetarët e AA-së në Idlib mësohet se një grup nxënësish që po dilnin nga shkolla janë vënë në objektivin e avionëve luftarakë. Mësohet se fëmijët kanë humbur jetën në sulmin ajror pavarësisht se pasi kanë dëgjuar zhurmën e avionëve ata janë larguar për t'u fshehur në një strehimore shpellë.
Drejtori i mbrojtjes civile në Idlib, Mustafa Haxh Jusuf, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se në sulm kanë humbur jetën 20 civilë nga të cilët 16 prej tyre fëmijë dhe 3 gra, ndërsa është plagosur 1 civil.
Observatori i opozitarëve për vëzhgimin e avionëve në një postim në llogarinë e medias sociale ka bërë të ditur se "Avionë luftarakë rusë të ngritur nga baza ajrore Himejmim kanë kryer sulme në rajonin Serakib dhe në fshatrat përreth tij".
Ekipet e mbrojtjes civile janë duke vazhduar punimet e kërkim shpëtimit në rajon.
Në sulmet ajrore të ndërmarra në 11 ditët e fundit ndaj vendbanimeve civile në rajonet Idlib dhe Hama kanë humbur jetën 56 civilë dhe janë plagosur mbi 60 të tjerë.
Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me një vendim më 24 shkurt, kërkoi shpalljen e armëpushimit humanitar kryesisht për civilët në Gutën Lindore dhe në të gjithë Sirinë. Ndërkohë që kishte mbetur e paqartë se si do të fillonte armëpushimi për të cilin ishte vendosur që të vihej në zbatim "pa vonuar".
Rusia pas vendimit të KS-OKB-së me 27 shkurt shpalli se armëpushimi do të ishte i vlefshëm çdo ditë nga ora 09.00-14.00, dhe gjithashtu kishte pretenduar se regjimi do t'i përmbahej armëpushimit.