Dmitri Chirciu
30 Gusht 2019•Përditësim: 31 Gusht 2019
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se regjimi i Bashar al-Asadit ka shpallur armëpushim në Idlib, rajon që tashmë një kohë të gjatë ka ngelur nën shënjestrën e sulmeve të regjimit dhe Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në një njoftim të ministrisë ruse, forcat ushtarake të regjimit sirian, duke filluar nga nesër, shpallin armëpushim të njëanshëm në rajonin e Idlibit.
"Qendra Ruse për Pajtimin e Palëve ra dakord që ushtria siriane të shpallë armëpushim të njëanshëm në Zonën e Deeskalimit - Idlib duke filluar nga ora 06:00 më 31 gusht, në mënyrë që gjendja të stabilizohet", thuhet në njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Situata në Idlib
Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.
Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.
Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Turqisë dhe Rusisë në shtator të vitit të kaluar, 945.992 civilë në zonën e deeskalimit janë zhvendosur kurse 1.282, përfshirë 219 gra dhe 341, kanë humbur jetën nga sulmet e regjimit dhe Rusisë.
Vazhdimi i përparimit të regjimit nga toka ka rritur shqetësimin se përmasat e masakrave civile dhe imigracioni do të rriten.