Rabia İclal Turan
16 Shkurt 2023•Përditësim: 17 Shkurt 2023
Një helikopter "Black Hawk" u rrëzua të mërkurën në një autostradë të shtetit federal Alabama në SHBA, ku humbën jetën dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Tenesit që ndodheshin në bord, raporton Anadolu.
Garda Kombëtare e Tenesit në deklaratën e saj tha se helikopteri UH-60 "Black Hawk" u rrëzua rreth orës 15:00 sipas kohës lokale gjatë një fluturimi stërvitor pranë autostradës 53 dhe rrugës "Burwell" në Huntsville.
"Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtarë të Tenesit dhe lutjet tona janë me familjet e tyre gjatë kësaj tragjedie", tha në një deklaratë gjenerali adjutant i Tenesit, Gjeneral Brigade Warner Ross.
"Ne kërkojmë nga banorët e Tenesit që të bashkohen me ne për të mbështetur familjet e tyre gjatë kësaj kohe pikëllimi të paimagjinueshëm", shtoi Ross.
Hetimet janë duke u zhvilluar ndërsa Garda Kombëtare e Tenesit tha se do të mbështesë policinë dhe ekipet e tjera të reagimit të shpejtë.
Asnjë pjesëtar tjetër i shërbimit apo civil nuk është lënduar në këtë incident, thuhet në deklaratë.