Islam Uddin
16 Shkurt 2023•Përditësim: 16 Shkurt 2023
Koreja e Jugut e quajti sot fqinjin e saj Korenë e Veriut armike për herë të parë që pas gjashtë vitesh, transmeton Anadolu.
Në librin e bardhë të Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut e cila botohet çdo dy vjet, Seuli e quajti qeverinë e Koresë së Veriut dhe ushtrinë e saj "armike" dhe e përshkroi Japoninë si "fqinje të ngushtë" për herë të parë që nga viti 2018, raporton agjencia e lajmeve Yonhap.
"Duke pasur parasysh se Veriu na përcaktoi si 'armik të padyshimtë' në mbledhjen plenare të Komitetit Qendror të partisë në pushtet në dhjetor 2022 dhe vazhdon të përbëjë kërcënim ushtarak pa hequr dorë nga programi i tij bërthamor, regjimi dhe ushtria e Koresë së Veriut janë armiqtë tanë", shkruan në librin e bardhë.
Seuli fillimisht e renditi Korenë e Veriut si armike në librin e bardhë të vitit 1995, por më vonë e zëvendësoi termin me "kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak" në vitin 2004.
Megjithatë, gjatë administrimit të ish-presidentit Moon Jae-in, Koreja e Jugut hoqi këtë pjesë nga libri i bardhë i mbrojtjes në botimet e vitit 2018 dhe 2020 ndërsa qeveria përpiqej të promovonte paqen dhe pajtimin ndër-korean.
Tensionet në Gadishullin Korean u përshkallëzuan në fund të vitit të kaluar kur Koreja e Veriut lëshoi të paktën 60 raketa ndërsa Koreja e Jugut dhe SHBA-ja zhvilluan stërvitje të përbashkëta ushtarake.