Hakan Ceyhan Aydoğan
09 Maj 2017•Përditësim: 10 Maj 2017
MOSKË (AA) - Në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, u bë parakalim ushtarak me rastin e 72-vjetorit të triumfit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore ndaj Gjermanisë naziste të asaj kohe, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e parakalimit që u organizua në Sheshin e Kuq morën pjesë dhjetë mijë ushtarë dhe 114 automjete të mekanizuara dhe pajisje të tjera. Në ceremoni u shfaqën edhe sistemet e mbrojtjes raketore S-400 dhe raketat Iskender.
Për më tepër, në ceremoni për herë të parë u përfshinë edhe sistemet raketore Pantsir-s1 dhe Tor të cilat Rusia i ka vendosur në rajonin e Arktikut.
Nga ana tjetër, për shkak të kushteve të pavolitshme të motit, shfaqjet me helikopterë dhe avionë nuk u realizuan. Ceremoninë në Sheshin e Kuq e ndoqën edhe presidenti Vladimir Putin dhe kryeministri Dimitriy Medvedev.
Në fjalën e tij, Putin rikujtoi se Lufta e Dytë Botërore kushtoi me jetën e miliona njerëzve, duke theksuar se leksionet e fituara nga kjo luftë tregojnë se "duhet të jemi të zgjuar".
"Forcat e armatosura ruse sot kanë fuqinë për t'u përballur me çdo lloj kërcënimi potencial", tha më tej Putin, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet bashkuar përballë terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera.
Putin tha se janë të hapur për një bashkëpunim të tillë dhe se Rusia gjithnjë do të jetë në anën e paqes dhe të atyre që refuzojnë luftën duke zgjedhur rrugën e partneritetit të barabartë.
Në kuadër të 9 Majit - Ditës së Fitores, në shumë qytete me në krye Moskën organizohet marshi përkujtimor i "regjimentit të pavdekshëm".