Dmitri Chirciu
30 Maj 2023•Përditësim: 30 Maj 2023
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se dërgesat e armëve dhe pajisjeve në Ukrainë po rriten, duke shtuar se Rusia ndjek vëllimin dhe rrugët e dërgimit të këtyre dërgesave dhe i godet kur të njëjtat përcaktohen, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë lidhur me luftën Rusi-Ukrainë në një mbledhje me zyrtarë ushtarakë, Shoigu tha se forcat ushtarake ruse vazhdojnë sulmet e tyre ndaj Ukrainës.
"Vetëm në muajin e fundit, armiku ka humbur mbi 16 mijë ushtarë, 16 avionë, 5 helikopterë, 466 mjete ajrore pa pilot, mbi 400 tanke si dhe 238 mjete të blinduara dhe obusë", tha Shoigu, duke shtuar se janë penguar dhe shkatërruar gjithashtu 196 raketa të multiraketahedhësve HIMARS, 16 raketa HARM dhe 29 raketa lundruese Storm Shadow me rreze të gjatë.
"Vendet Perëndimore, pavarësisht humbjeve serioze të Forcave të Armatosura të Ukrainës, vazhdojnë të kërkojnë nga regjimi i Kievit që të kalojnë në sulme në shkallë të gjerë. Dërgesat e armëve dhe pajisjeve në Ukrainë po rriten. Ndjekim vëllimin dhe rrugët e dërgimit të këtyre dërgesave dhe i godasim kur i përcaktojmë. Në ditët e fundit në Khmelnytskyi, Ternopil dhe Mykolayiv janë shkatërruar depo të mëdha të armëve që vijnë nga Perëndimi dhe në Kiev është goditur sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot. Mbështetjet ushtarake të siguruara për Ukrainën zgjasin konfliktin, por nuk mund të ndikojnë rezultatin e këtij operacioni special ushtarak", theksoi Shoigu.
Duke vlerësuar veprimet e administratës së Ukrainës, Shoigu tha se "administrata e Kievit, duke përdorur armët e NATO-s, vazhdon të sulmojë komplekset sociale, vazhdon të ndërmarrë sulmet e saj terroriste kundër qytetarëve civilë rus. Forcat e Armatosura të Rusisë japin reagim të ashpër ndaj kësaj".
- Sulmi me dronë
Sergei Shoigu rikujtoi se javën e kaluar u krye një operacion kundër grupit të sabotazhit të Ukrainës që u infiltruan në rajonin Belgorod të Rusisë.
"Regjimi i Kievit këtë mëngjes ka kryer akt terrorist kundrejt infrastrukturës civile në rajonin e Moskës. Në këtë sulm u përdorën 8 dronë", tha Shoigu, duke shtuar se të gjitha këto u goditën.
Duke njoftuar se vazhdojnë punimet për ndërtimin dhe rinovimin e 62 anijeve luftarake ruse, Shoigu shtoi: "Po ashtu vazhdon procesi për rinovimin e kryqëzorit Amiral Nahimov i cili mbart armë bërthamore. Rinovimi i kësaj anijeje, parashikon pajisjen e saj me pajisje moderne dhe armë me rreze të gjatë me precizion të lartë, përfshirë edhe raketën hipersonike Zircon (Tsirkon)".
Ministri Shoigu shtoi se është planifikuar që deri në fund të vitit të përfundojnë testimet në këtë anije dhe që deri në vitin 2024 të përfundojnë dhe punimet e rinovimit.