Emre Gürkan Abay
18 Dhjetor 2018•Përditësim: 18 Dhjetor 2018
MOSKË (AA) - Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu deklaroi se Rusia në vitin 2018 ka bashkëpunuar me 98 vende në fushën ushtarako-teknike. Ai tha se "Kina, India, Egjipti, Algjeria dhe Vietnami janë ndër partnerët prioritarë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Shoygu në një takim në Ministrinë e Mbrojtjes shpjegoi se hapi më i rëndësishëm në zgjidhjen e krizës siriane ishte përmes negociatave politike. "Bisedimet e Astanas përshpejtuan këtë proces. Me Kongresin e Dialogut Kombëtar të mbajtur në Soçi ka filluar procesin për krijimin e Komitetit Kushtetues. Me këtë u krijuan kushtet e nevojshme politike për mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë", tha ai.
Sipas tij, NATO në vitin 2018 ka shtuar aktivitetet e zbulimit në kufijtë e Rusisë. "NATO ka rritur me 10 për qind aktivitetet e zbulimit në kufijtë jugorë dhe jugperëndimorë të Rusisë në krahasim me vitin 2017", tha Shoygu.
"Vitin e ardhshëm planifikojmë të zhvillojmë 18.500 trajnime dhe stërvitje ushtarake në fusha të ndryshme", theksoi ministri rus duke vënë theksin se ushtria ruse do të rrisë stërvitjet e saj në vitin 2019.
Ai tha se këtë vit kanë bashkëpunuar me shumë vende në fushën ushtarako-teknike. "Në vitin 2018 Rusia ka bashkëpunuar me 98 vende në fushën ushtarako-teknike. Kina, India, Egjipti, Algjeria dhe Vietnami janë ndër partnerët tanë prioritarë në këtë fushë", tha Shoygu.