Dmitri Chirciu,Ali Cura
26 Mars 2020•Përditësim: 27 Mars 2020
Rusia ka marrë masa të reja kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), përderisa janë duke u rritur rastet e konfirmuara në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kryeministria, Bordi koordinues i luftës kundër pandemisë COVID-19, që u mblodh nën udhëheqjen e kryeministrit Mikhail Mishustin ka marrë vendime të reja për të luftuar virusin.
Sipas njoftimit kërkohet që të zbatohet sistemi që të punohet nga shtëpia aq sa është e mundur, ndërsa duke filluar nga 27 marsi të gjitha fluturimet janë ndaluar, përveç atyre të evakuimit.
Gjithashtu është marrë vendim që udhëtarët që hyjnë në vend t'u testohet gjaku dhe të mbahen 14 ditë në mbikëqyrje shtëpiake.
- Masa të reja në Moskë
Ndërkohë edhe kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin njoftoi masa të reja.
Ai tregoi se të gjitha dyqanet për shitje me pakicë, restorante, bare dhe kafene, përveç marketeve dhe farmacive do të qëndrojnë të mbyllura mes datave 28 mars dhe 5 prill duke shtuar se restorantet do të mund të shërbejnë vetëm me porosi.
Sobyanin tërhoqi vëmendjen se parqet e mëdha në Moskë janë mbyllur ndërsa qytetarëve u këshilloi që të mos shkojnë në vendet e adhurimit.
Qendra ruse për kontroll dhe parandalim të Infekcionit të koronavirusit njoftoi se në 24 orët e fundit numri i rasteve të konfirmuara është rritur me 182 raste duke arritur në 840 ndërsa janë shëruar 38 persona.