Elena Teslova
12 Prill 2022•Përditësim: 12 Prill 2022
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 42 ushtarë ukrainas lanë armët dhe u dorëzuan në qytetin e Mariupolit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ata ishin në mesin e 100 ushtarëve ukrainas që luftuan në betejën e mbrëmjes me forcat ruse në përpjekje të dështuar për të shpëtuar nga qyteti i rrethuar", tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov në një konferencë për media në Moskë.
Si rezultat, tre tanke ukrainase, pesë automjete të blinduara dhe shtatë automjete u shkatërruan në luftimet në të cilat u vranë rreth 50 persona, tha Konashenkov.
"Një grup ushtarësh ukrainas që numëronin deri në 100 persona me automjete të blinduara u përpoqën të dilnin nga uzina (Illich Steel and Iron Works) dhe të largoheshin nga qyteti në drejtim të veriut. Kjo përpjekje u pengua nga sulmet ajrore dhe artilerike", shtoi ai.
Sipas tij, armët me precizitet të lartë shkatërruan një depo municionesh dhe një hangar të mbrojtur në aeroportin Starokonstantinovo në rajonin perëndimor Khmelnytskyi, së bashku me një depo municionesh në rajonin e kryeqytetit Kiev.
Konashenkov thekson se forcat e aviacionit rus goditën 32 objektiva ushtarake ukrainase gjatë natës, përfshirë një sistem të mbrojtjes ajrore Buk-M1, radarin dhe sistemin e ndriçimit të një sistemi të mbrojtjes ajrore S-300, një pikë komandimi dhe 18 zona të përqendrimit të pajisjeve ushtarake.
Sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan dy mjete ajrore pa pilot (UAV) pranë Berdyanks dhe Melitopolit, tha ai.
“Në total, që nga fillimi i operacionit special ushtarak, 130 avionë, 99 helikopterë, 244 sisteme të mbrojtjes ajrore, 443 mjete ajrore pa pilot, 2,139 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 241 raketahedhës me shumë tyta, 917 artileri fushore dhe mortaja si dhe 2046 njësi të mjeteve speciale ushtarake u shkatërruan”, tha ai.
Në një deklaratë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se "mijëra njerëz" janë vrarë në Mariupol.
Duke iu drejtuar Parlamentit të Koresë së Jugut, Zelenskyy kërkoi armë dhe pajisje ushtarake, duke paralajmëruar se Rusia mund të nisë një ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë këtë javë, megjithëse ushtarët e saj janë "të demoralizuar".
Rusia, nga ana e saj, ka thënë se Kievi po përgatitet për një kundërsulm midis 18 dhe 22 prillit.
Të paktën 1.842 civilë janë vrarë dhe 2.493 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi një luftë më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Rreth 4.6 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.