Onur Usta
29 Mars 2017•Përditësim: 30 Mars 2017
PARIS (AA) - Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha se qytetarët e Parisit e dinë shumë mirë se çfarë dhimbje është terrorizmi. "As ne nuk do të lejojmë kurrë që terroristët të jenë të suksesshëm dhe jemi të vendosur në këtë çështje", tha Khan, raporton Anadolu Agency (AA).
I ndodhur në një takim me temë lufta kundër ndotjes së ajrit i cili është zhvilluar në kryeqytetin Paris të Francës, kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, kryetarja e Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo dhe kryetari i Bashkisë së Seulit, Park Won-soon janë takuar me prodhuesit e automjeteve.
Khan në një konferencë të përbashkët për media pas takimit ka thënë se "Qytetarët e Parisit e dinë shumë mirë se çfarë dhimbje është terrorizmi. As ne nuk do të lejojmë kurrë që terroristët të jenë të suksesshëm dhe jemi të vendosur në këtë çështje. Londra dhe Parisi nuk do të përulen kurrë përpara terrorizmit".
Pasi rikujtoi se Britania e Madhe ka nisur procesin e largimit nga Bashkimi Evropian, Khan tha se "Fatkeqësisht Britania do të ndahet nga BE-ja. Por, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku. Dhe, jo vetëm në çështjen e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit, por në të njëjtën kohë duhet të bashkëpunojmë edhe në zgjidhjen e barazisë dhe shumë çështjeve të tjera".
Ndër të tjera Han ka theksuar se lufta kundër ndotjes së ajrit është një përgjegjësi e rëndësishme dhe se bashkitë e Londrës dhe Parisit janë duke treguar përpjekje të përbashkët kundër ndotjes që shkaktojnë automjetet me naftë.
Ndërsa Hidalgo tha se ndotja e ajrit çdo vit shkakton vdekjen e më shumë se 3 milionë njerëzve në botë. "Shkaku themelor i ndotjes në qytetet tona është trafiku rrugor. Si kryetarë të bashkive të qyteteve të mëdha ne duhet të kalojmë në veprim. Problemi im nuk është me automjetet por me ndotjen", tha kryetarja e Bashkisë së Parisit.
"Ne si kryetarë të bashkive jemi në anën e dialogut. Mes prodhuesve të automjeteve dhe bashkive duhet të jetë marrëdhënia fito-fito. Pra, edhe duhet ti jepet fund ndotjes atmosferike por edhe duhet të mbrohet vendi i automjeteve në jetën e përditshme të qytetit duke ofruar kushtet e nevojshme transparente. Kjo do ti shërbejë të gjithëve", deklaroi Hidalgo duke vënë theksin se janë në bashkëpunim me prodhuesit e automjeteve.