Betül Yürük
09 Korrik 2016•Përditësim: 09 Korrik 2016
VARSHAVË (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka falënderuar Turqinë për kontributin e dhënë për njësitë e NATO-s në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e dytë të samitit në Varshavë të Polonisë ku janë mbledhur së bashku krerët e shteteve dhe të qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s u mbajt takimi "Operacioni Mbështetja e Vendosur", ku u diskutua për Afganistanin.
Stoltenberg në një konferencë për shtyp pas takimi tha se me presidentin afgan Eshref Gani dhe me kryetarin e Bordit Ekzekutiv Abdullah Abdullah kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend, reformat dhe partneritetin në vazhdim të NATO-s me Afganistanin.
Duke bërë thirrje që të vazhdohen reformat në fushat e të drejtave të njeriut, kundër korrupsionit dhe në proceset zgjedhore Stoltenberg ka theksuar se forcat afgane të sigurisë tashmë janë përgjegjëse për sigurinë në të gjithë vendin, por sipas tij NATO do të vazhdoje të ofrojë konsulencë dhe trajnime për forcat afgane të sigurisë.