Tolga Akbaba
10 Shkurt 2019•Përditësim: 11 Shkurt 2019
ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, tha se samiti me temë Lindjen e Mesme që do të organizohet në Varshavë ka dështuar para se të fillojë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zarif, në deklaratën për Agjencinë e Lajmeve të Kuvendit të Iranit (ICANA), vlerësoi samitin me temë "Lindja e Mesme" që do të organizohet më 13-14 shkurt në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë.
Ai tha se ky është një samit kundër Iranit. "SHBA-të bënë përpjekje intensive për të organizuar një samit kundër Iranit në Varshavë, por u tërhoqën nga pozicioni i tyre dhe njoftuan se tema e samitit nuk është Irani. Samiti i Varshavës dështoi para se të fillojë", u shpreh ai.
Zarif potencoi se SHBA-të dëshironin që Iranin ta vendosin në rend dite në samit, por kanë dështuar në këtë synim.
Ai shtoi se në samit nuk janë ftuar zyrtarë iranianë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në kuadër të turneut të tij gjatë vizitës në Lindjen e Mesme, në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, në deklaratën për televizionin "Fox News" të SHBA-ve, tha se më 13-14 shkurt në Poloni do të organizojnë një samit me pjesëmarrjen e shteteve të ndryshme nga mbarë bota ku do të trajtohen veprimet "destabilizuese" të Iranit në rajon.
Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të Kuvendit iranian, Hashmetullah Felahatpishe, tha se samiti në fjalë është fillimi i një "shpifje" të re.
Më pas, i ngarkuari me punë i Polonisë në Teheran, Wojciech Unolt, ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme të Iranit, të cilit i është shprehur shqetësimi ndaj samitit kundër Iranit.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputowicz, tha se samiti nuk do të fokusohet vetëm tek Irani. "Me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit në mbledhje do të trajtohet Lindja e Mesme", potencoi ai.