Burç Eruygur
10 korrik 2023•Përditësim: 10 korrik 2023
Shavkat Mirziyoyev u rizgjodh president i Uzbekistanit me mbi 87 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të së dielës, treguan sot rezultatet paraprake, transmeton Anadolu.
“Në përputhje me ligjin, kandidati që merr 50 për qind të votave plus një votë konsiderohet kreu i zgjedhur i shtetit. Meqenëse Shavkat Mirziyoyev, sipas të dhënave paraprake, fitoi 87,05 për qind të votave, ai zgjidhet ligjërisht president”, tha Zayniddin Nizamkhodjaev, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Uzbekistan, gjatë një konference në kryeqytetin Tashkent.
Nizamkhodjaev më tej tha se 15,6 milionë njerëz, ose 79,88 për qind e votuesve, nga rreth 20 milionë votues të regjistruar, votuan në zgjedhjet presidenciale.
Kandidatët e tjerë presidencialë që garuan në zgjedhje – Robakhon Makhmudova, Ulugbek Inoyatov dhe Abdushukur Khamzayev – kanë marrë respektivisht 4,43, 4,02 dhe 3,74 për qind të votave.
Më 30 prill, qytetarët uzbekë votuan për amendamente kushtetuese që parashikojnë zgjatjen e mandatit presidencial nga pesë vitet aktuale në shtatë dhe gjithashtu lejojnë që presidenti aktual Mirziyoyev të zgjidhet sërish pas dy mandatesh radhazi.
Pas votimit, Mirziyoyev njoftoi zgjedhjet e parakohshme, të cilat Komisioni Zgjedhor vendosi t’i mbajë më 9 korrik.