Doğa Kırmızıoğlu
14 Dhjetor 2021•Përditësim: 15 Dhjetor 2021
Qindra gra të dhunuara seksualisht nga Larry Nassar, ish-mjeku i Ekipit Olimpik të Gjimnastikës në SHBA, ranë dakord me Federatën e Gjimnastikës së SHBA-së për një dëmshpërblim prej 380 milionë dollarësh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas 5 vitesh betejë ligjore ka përfunduar procesi gjyqësor midis grave të dhunuara, përfshirë fitueset e medaljes së artë olimpike Simone Biles, Aly Raisman dhe McKayla Maroney dhe Federatës së Gjimnastikës së SHBA-së, Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së.
Rrjedhimisht u ra dakord që palët e paditura të paguajnë 380 milionë dollarë dëmshpërblim për viktimat dhe familjet e tyre. Larry Nassar u dënua me më shumë se 300 vjet burg për sjellje të pahijshme seksuale në vitin 2018.
Rachael Denhollander, gruaja e parë që ndau publikisht akuzat e saj kundër Nassar-it në vitin 2016 në llogarinë e saj në Twitter shkroi: "Më në fund e kemi mbyllur këtë libër. Që tani e tutje, ne do të fillojmë një proces të vështirë në rrugën e reformës dhe rindërtimit. Drejtësia dhe ndryshimi varet nga hapat e mëtejshëm”.
Përveç grave në Federatën Amerikane të Gjimnastikës, gratë që u ngacmuan në Universitetin Shtetëror të Michiganit, ku Nassari punonte, paditën gjithashtu edhe universitetin. Universiteti në vitin 2018 ra dakord t'u paguante paditësve 500 milionë dollarë.