Mustafa Çağlayan
27 Janar 2016•Përditësim: 28 Janar 2016
NEW YORK (AA) – Gjashtë zyrtarë policorë janë pushuar nga puna, ndërkohë që gjashtë të tjerë janë dënuar me masa tjera ndëshkuese, pasi një ndjekje fatale e policisë përfundoi me vrasjen e një çifti të paarmatosur afro-amerikan në Cleveland, Ohio, raporton Anadolu Agency (AA).
Timothy Russell dhe shoqëruesja e tij Malissa Williams u vranë më 29 nëntor të vitit 2012 pasi 13 policë qëlluan mbi ta 137 herë.
Bëhet fjalë për policët Michael Brel, Wilfred Diaz, Chris Ereg, Michael Farley, Erin O'Donnell dhe Brian Sabolik. Brel, i akuzuari kryesor për incidentin në fjalë, thuhet se ka qëlluar 15 herë mbi viktimat.
Verdikti për lirimin e tij në muajin maj, shkaktoi trazira dhe protesta anembanë Cleveland-it.
Drejtori i Sigurisë Publike, Michael McGrath, deklaroi se gjashtë policët e tjerë do të përballen me pezullime në kohëzgjatje prej 21 deri në 30 ditë. McGrath tha se njëri nga policët i cili kishte marrë pjesë në incident, do të dalë në pension më herët.