Ekip
26 Maj 2016•Përditësim: 26 Maj 2016
NEW YORK (AA) - Një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën gjatë të shtënave në një sallë Koncertesh në New York, ku duhej të performonte muzikanti i hip-hop-it T.I., njofton policia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të shtënat ndodhën në ora 22:15 sipas kohës lokale në ndërtesën tre katështe "Irving Plaza" në afërsi të sheshit "Union" në Manhattan.
Policia njoftoi se burri 33-vjeçar u qëllua në stomak dhe u dërgua në spital, ku më vonë ndërroi jetë. Gjithashtu edhe një 34-vjeçar u qëllua në gjoks dhe është në gjendje kritike, kurse një djalë dhe një vajzë u qëlluan në këmbë.
Elia Rodriguez, i cili ishte në koncert me motrën e tij në sektorin VIP pranë binës, tha se T.I. duhej të dilte në skenë në ora 21:30, por "nuk u paraqit fare", kurse rreth orës 22:15 shumë njerëz filluan të dalin nga drejtimi ku zakonisht dalin këngëtarët në skenë.
"Papritmas dëgjova të shtënat dhe se dikush u qëllua", ka thënë Rodriguez.
Pamjet nga kamerat e sigurisë nga salla tregojnë për skena kaotike, ku publiku nxiton në të gjitha drejtimet duke u përpjekur për të dalë nga salla, ndërkohë që një grup i njerëzve ishin shtrirë në dysheme.
Përfaqësuesit e T.I.-së, emri i vërtetë i të cilit është Clifford Joseph Harris Jr. kanë theksuar se ata nuk duan t'iu përgjigjen pyetjeve në lidhje me të shtënat, duke i thënë mediave që ti drejtohen policisë.
Akoma askush nuk është arrestuar, kurse informacione më të detajuara në lidhje me incidentin nuk ka.