Burak Dağ
27 Prill 2023•Përditësim: 28 Prill 2023
Ushtria Amerikane ka bërë të ditur se Irani ka konfiskuar një anije-cisternë të naftës me flamurin e Ishujve Marshall në Gjirin e Omanit, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga Komanda Qendrore e Forcave Detare të SHBA-së, anija "Advantage Sweet" u sekuestrua nga Marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGCN) "gjatë tranzitit në ujërat ndërkombëtare në Gjirin e Omanit".
Në deklaratë thuhet se anija lëshoi një thirrje rreziku gjatë konfiskimit.
"Veprimet e Iranit janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe prishin sigurinë dhe stabilitetin rajonal", tha Marina e SHBA-së, duke i kërkuar Teheranit lirimin e anijes së naftës.
Në deklaratë thuhet se "ngacmimi i vazhdueshëm i anijeve dhe ndërhyrja iraniane në të drejtat e lundrimit në ujërat rajonale janë një kërcënim për sigurinë detare dhe ekonominë globale".
Sipas marinës amerikane, Irani ka konfiskuar "në mënyrë të paligjshme" të paktën 5 anije tregtare në Lindjen e Mesme në dy vitet e fundit.