Dilara Zengin Okay
09 Maj 2022•Përditësim: 09 Maj 2022
Administrata e SHBA-së ka zbatuar sanksione ndaj 8 anëtarëve të bordit të Sberbank, një prej bankave më të mëdha ruse dhe 27 anëtarëve të bordit drejtues të Gazprombank si dhe ndaj 3 kanaleve televizive që i përkasin shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas samitit që liderët e G7 zhvilluan me pjesëmarrjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy nëpërmjet internetit, mësohet se nga SHBA-ja janë vendosur sanksione të reja kundër Rusisë.
Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Thesarit thuhet se në listën e sanksioneve janë shtuar individë dhe institucione të cilët kanë rëndësi kritike në aspektin e aftësive luftarake të Rusisë.
Më tej thuhet se në mesin e këtyre janë përfshirë anëtarët e bordit drejtues të dy bankave më të rëndësishme të Rusisë, një bankë shtetërore ruse dhe 10 institucione të lidhura me të, një prodhues armësh i mbështetur nga shteti si dhe tre kanale televizive nën kontrollin e shtetit.
Në kuadër të kësaj, sanksionet janë zbatuar ndaj 8 anëtarëve të bordit të Sberbank, një prej bankave më të mëdha të Rusisë si dhe 27 anëtarëve të bordit drejtues të Gazprombank një prej bankave më të rëndësishme të vendit.
Sanksione do të zbatohen edhe ndaj Bankës Industriale të Moskës në pronësi shtetërore dhe 10 filialeve të saj.
Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe Promtekhnologiya, kompania e mbrojtjes e cila ofron furnizime për shërbimet ushtarake dhe inteligjencës ruse, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se në listën e sanksioneve janë shtuar edhe 3 kanale televizive të Rusisë.
Janë ndërmarrë gjithashtu veprime për të ndërprerë qasjen në shërbimet që përdoren nga Rusia dhe elita ruse për të shmangur sanksionet dhe se është ndaluar që amerikanët të ofrojnë shërbime kontabiliteti dhe konsulence për rusët.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha se do të kufizojnë edhe më shumë qasjen në shërbimet dhe teknologjinë që Rusia ka nevojë për ekonominë e saj dhe për të realizuar sulmet e saj kundër Ukrainës.