Hakan Çopur
01 Prill 2021•Përditësim: 01 Prill 2021
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken konfirmoi edhe një herë "angazhimin e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës" përballë "agresivitetit" të Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price dha një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën telefonike mes Blinken dhe homologut ukrainas, Dmytro Kuleba.
"Sekretari Blinken konfirmoi sërish angazhimin e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresivitetit të Rusisë që vazhdon në Donbas dhe Krime", thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, Blinken ka vënë në dukje shqetësimin e tij lidhur me tensionet në lindje të Ukrainës dhe ka shprehur ngushëllimet për ushtarët ukrainas që kanë humbur jetën.
Pasi ka vënë theksin mbi forcimin e institucioneve demokratike dhe ruajtjen e mbisundimit të ligjit në Ukrainë, Blinken ka rënë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit në tema kryesore si luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe ndryshimeve klimatike.
Si pasojë e zjarrit të hapur nga separatistët pro-rusë më 26 mars në zonën Shumy në Donbas humbën jetën 4 ushtarë të Ukrainës.
Në konfliktet që vazhdojnë që prej vitit 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë të cilët kanë shpallur në rajon të ashtuquajturën pavarësi, kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.