Selçuk Acar
24 Shtator 2017•Përditësim: 25 Shtator 2017
NEW YORK (AA) – Qyteti dhe shteti federal New York në SHBA, dërgoi ndihma humanitare për Porto Rikon, i cili pësoi një shkatërrim të madh nga uraganet e njëpasnjëshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Rajoni autonom i SHBA-ve, Porto Riko me një popullsi prej afro 3 milionë banorësh, pas krizës ekonomike tani po përjeton ditë të vështira me fatkeqësinë më të rëndë natyrore në 80 vitet e fundit, fillimisht me uraganin Irma e më pas atë Maria.
Ishulli, i cili në gjuhën spanjolle quhej “Port i Pasur”, tani po varfërohet çdo ditë e më shumë ndërsa pësoi një shkatërrim të madh si pasojë e uraganeve të njëpasnjëshme me intensitet të lartë.
Në Porto Riko ku deri më tani humbën jetën më shumë se 10 persona dhe ku ka ndërprerje të linjave të energjisë elektrike, ujit dhe linjave telefonike, jeta është plotësisht e paralizuar.
Guvernatori i New York-ut nga Partia Demokratike, Andrew Cuomo dhe anëtarja e Kongresit të Partisë Demokratike Nydia Velazquez kanë dërguar me avion ndihmat që përbëhen nga uji, ushqimet e gatshme, gjeneratorët elektrik dhe një numër të madh të batanijeve.
Cuomo në një deklaratë në aeroportin JFK tha se qytetarë të shumtë të New York-ut nuk po arrijnë të kontaktojnë me të afërmit e tyre në Porto Riko dhe shtoi se kjo është një “periudhë emocionale dhe shumë prekëse".
Kryebashkiaku i New York-ut, Bill de Blasio ka vendosur pika për grumbullimin e ndihmave në rajonet Manhattan, Bronx, Queens, Brooklyn dhe Staten Island të qytetit.
Në anën tjetër edhe persona të njohur të Porto Rikos filluan fushatën për ndihma dhe para në rrjetet sociale.
Ndërkaq ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY) kanë filluar punimet për kërkim dhe shpëtim në rrugët e errëta të Porto Rikos ku edhe energjia elektrike është ndalur.
Për shkak të të çarave në digën Guataca të shkaktuara nga uraganet, janë evakuuar qytetarët e rajoneve Isabela dhe Quebradillas ku jetonin 70 mijë banorë.
Guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello bëri të ditur se erërat kanë shkaktuar dëme të mëdha në linjat energjetike dhe se furnizimi me energji elektrike për tërë ishullin do të marrë kohë deri në një muaj.
Ndërkohë njoftohet se si pasojë e uraganeve në shtetet e Karaibeve më shumë se 30 persona kanë humbur jetën.