Safvan Allahverdi
21 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
WASHINGTON (AA) - Senati i SHBA-së refuzoi të martën miratimin e një rezolute që kërkonte të ndërpresë mbështetjen e Washingtonit për fushatën ushtarake të Arabisë Saudite në Jemen, raporton Anadolu Agency (AA).
Senati votoi 55-44 kundër rezolutës, e cila u paraqit tri javë më parë nga Senatori i Vermontit dhe ish-kandidati presidencial Bernie Sanders dhe senatorët Mike Lee dhe Chris Murphy, për t'i dhënë fund ndihmës ushtarake amerikane në fushatën e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kundër rebelëve Husi në Jemen.
Sanders kishte argumentuar se pjesëmarrja e SHBA-së në fushatën e Jemenit kurrë nuk është autorizuar në mënyrë eksplicite nga Kongresi siç kërkohet me ligj.
Mijëra civilë jemenas kanë humbur jetën dhe miliona janë zhvendosur për shkak të sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
"Asnjë dispozitë ligjore në mënyrë eksplicite nuk autorizon sigurimin e asistencës së targetimit ose ofrimin e shërbimeve për mbushje me karburant në ajër të avionëve të Arabisë Saudite ose Emirateve të Bashkuara Arabe që janë të angazhuar në një konflikt të tillë", ka shtuar Sanders.
Rezoluta ishte përpjekja më e fundit e Kongresit për të kontrolluar ushtrimin presidencial të forcës ushtarake jashtë vendit.
Misionet e tilla kushtetueshmërisht kërkojnë miratimin e Kongresit ndërkohë që luftëra të njëpasnjëshme janë zhvilluar nën ato që kritikët i quajnë autorizime të dyshimta.
Jemeni është shembulli më i fundit në të cilin forcat amerikane sigurojnë mbështetje logjistike dhe inteligjencë për një koalicion të kryesuar nga Arabia Saudite të përbërë kryesisht nga vendet e Gjirit, që po luftojnë për të përmbysur rebelët Husi nga Jemeni.
Presioni është ngritur pasi që katastrofa humanitare e Jemenit është përkeqësuar gjatë fushatës trevjeçare.
Por, udhëheqësit e Senatit së bashku me kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit Bob Corker kundërshtuan propozimin, sepse ai do të dëmtonte partneritetin e SHBA-së me sauditët.
Refuzimi i senatit do të thotë se politika kontroverse do të vazhdojë.
Ky hap erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump u takua me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë më herët gjatë ditës.