Muhammed Bilal Kenasari
08 Nëntor 2017•Përditësim: 08 Nëntor 2017
WASHINGTON (AA) – Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert tha se vala e arrestimit të një numri të madh të princave, ministrave dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë në Arabinë Saudite duhet të bëhet në mënyrë “të drejtë dhe transparente”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën ditore për media zëdhënësja Nauert dha deklarata për arrestimin e dhjetëra personave me akuzat për “korrupsion dhe ryshfet”, në mesin e të cilëve janë princat, ministrat, zv/ministrat, ish-ministrat dhe biznesmenët.
“Ne i nxisim autoritetet saudite që t’i vazhdojnë hetimet ndaj zyrtarëve, për të cilët mendojnë se kanë bërë korrupsion. Shpresojmë se ky proces do të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente”, tha Nauert.
Ajo tha se ka “marrëdhënie të ngushta” me zyrtarët e Arabisë Saudite, ndërsa foli edhe për tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit.
“Po i ndjekim me vëmendje dhe nga afër zhvillimet. Ne kemi marrëdhënie të bazuara në një kohë shumë të gjatë me Arabinë Saudite”, thotë Nauert.
Vala e arrestimeve ku përfshihen një numër i madh i princave, ministrave dhe zytarëve të lartë shtetërorë, e cila vlerësohet se po ndodh për herë të parë në historinë e këtij shteti, ka tronditur opinionin publik në mbarë botën.