Safvan Allahverdi
06 Korrik 2017•Përditësim: 06 Korrik 2017
WASHINGTON (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin veprime ushtarake kundër Koresë së Veriut kur një gjë e tillë do të jetë e nevojshme, deklaroi e dërguara amerikane në OKB, Nikki Haley, raporton Anadolu Agency (AA).
SHBA-të sipas saj, dëshirojnë të shmangin një konflikt, por lançimi i një rakete balistike ndërkontinentale nga ana e Koresë së Veriut një ditë më parë "paraqet përshkallëzim të qartë ushtarak", për çka SHBA-të janë të gatshme të përdorin "forca të konsiderueshme ushtarake" për të mbrojtur veten kur të shfaqet nevoja.
Ky fjalim i ashpër i Haley u bë gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Lançimi i paligjshëm i raketave nuk është vetëm e rrezikshme, por e pamatur dhe e papërgjegjshme", tha ajo duke kërcënuar edhe tregtinë me Kinën nëse marrëdhëniet e saj të biznesit me Korenë e Veriut shkelin sanksionet e OKB-së.
Ndërkohë, Kina dhe Rusia shprehën shqetësimin e tyre për testin korean, por kërkuan dialog me Korenë e Veriut duke kritikuar retorikën e fortë të Uashingtonit dhe vendosjen e një sistemi të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut.