Islam Doğru
27 Maj 2022•Përditësim: 30 Maj 2022
Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend në botë ku ka më shumë armë se civilë, sipas organizatës zvicerane Small Arms Survey (SAS), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ai është gjithashtu i vetmi vend ku të paktën një e shtënë masive ndodh çdo vit, raportoi CNN, duke cituar një studim.
Për çdo 100 amerikanë, ka 120 armë, thuhet në raportim, shifra tronditëse të publikuara pas sulmit masiv të martën në shkollën fillore Robb në Teksas që la të vrarë 21 njerëz, përfshirë 19 fëmijë.
Pas SHBA-së, në listën e vendeve me më shumë armë janë Ishujt Falklands, ku regjistrohen 62 armë për 100 persona. Jemeni i shkatërruar nga lufta ka shkallën e tretë më të lartë të posedimit të armëve, me 53 copë për 100 njerëz.
Në disa vende, si Koreja e Jugut dhe Japonia, kjo normë është rreth 0,2, thuhet ndër të tjera.
Studimi i SAS vlerëson se amerikanët zotërojnë 393 milionë nga 857 milionë armët e disponueshme në duart e civilëve në botë.
- Fenomeni amerikan
Lajmi gjithashtu tregon se të shtënat e rregullta masive janë një "fenomen unik amerikan".
Hulumtimi nënvizoi se të shtënat masive u referohen ngjarjeve në të cilat janë vrarë të paktën katër persona, duke përjashtuar autorin, dhe se ky përkufizim nuk përfshin aktivitetet kriminale të nxitura nga fitimi, vrasjet në familje dhe dhunën e sponsorizuar nga shteti.
Raporti i CNN thotë se shkalla e viktimave të dhunës së armatosur në vitin 2019 në Shtetet e Bashkuara ishte katër në 100.000 njerëz, që është 18 herë më e lartë se norma mesatare në vendet e tjera të zhvilluara.
Ndërsa popullsia e SHBA-së përbën katër për qind të popullsisë së botës, vetëvrasjet me armë zjarri në vitin 2019 në SHBA përbënin 44 për qind të vetëvrasjeve globale me armë zjarri.
Gjatë këtyre 22 viteve, ka pasur më shumë se 100 të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara, në të cilat janë vrarë më shumë se 2.000 njerëz.
- Rreth 44 për qind e të rriturve amerikanë jetojnë me armë
CNN thotë, duke cituar një sondazh të kryer në tetor 2020, se rreth 44 për qind e të rriturve amerikanë mbajnë një armë në shtëpi dhe rreth një e treta e zotërojnë atë personalisht.
Shtetet e Bashkuara janë ndër tre vendet ku qytetarët kanë të drejtë kushtetuese për të mbajtur ose poseduar armë.
“Ndërsa shumë vende në mbarë botën po ndërmarrin veprime ligjore dhe po luftojnë dhunën e armatosur dhe po humbasin mijëra jetë, vetëm rreth gjysma e të rriturve amerikanë mbështesin ligje më të ashpra për armët dhe reforma politike, duke çuar në një cikël vdekjeprurës të dhunës në familje”, thuhet në lajm.