Ekip
05 Dhjetor 2018•Përditësim: 06 Dhjetor 2018
STAMBOLL (AA) - SHBA po zgjeron "bazën ajrore ushtarake Harir" në rajonin Erbil të Irakut, të cilën më parë e ka përdorur për përmbysjen e regjimit Baas dhe më pas për operacionet kundër DAESH-it. Po ashtu thuhet se Administrata e Washingtonit, bazën ajrore e përdor edhe për të transportuar armatime për organizatën terroriste PYD/PKK në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
SHBA po punon për të rritur kapacitetin dhe për të aktivizuar bazën ushtarake, e cila është rreth 65 kilometra nga qendra e qytetit të Erbilit.
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga banorët e fshatit përreth rajonit Basirma dhe Harir ku ndodhet edhe baza, mësohet se SHBA në kuadër të planit për zgjerimin e bazës ka rrethuar me tela një territor prej qindra dynymë përreth zonës së bazës të cilën ajo që nga viti 2015 e përdor me arsyetimin e luftës kundër organizatës terroriste DEASH.

Banorët e zonës kanë thënë se më së shumti avionët transportues të armëve dhe mjeteve ushtarake kryejnë ulje gjatë orëve të natës, ku çdo ditë vërehen me sy të lirë edhe helikopterët që ulen dhe ngrihen në bazë. Ndërkohë dihet që pajisjet ushtarake që zbresin në këtë bazë me avionë, trasportohen me maune për organizatën terroriste PYD/PKK në veri të Sirisë.
Fshatarët, të cilët fillimisht nuk reaguan ndaj vendosjes së SHBA-ve në rajon, tashmë ankohen në lidhje me krijimin e pikave vëzhguese rreth bazës, rritjen në nivelin maksimal të masave të sigurisë dhe ndaj konfiskimit të tokave bujqësore duke mos i kryer asnjë pagesë.
Për shkak të zgjerimit të bazës ajrore, çdo familje në fshatrat Hırvatan, Batal, Bashur, Sirsura dhe Balyan ka humbur tokën e tyre të me rreth 40 deri 50 dynymë tokë të punueshme. Banorët e fshatit janë të shqetësuar se SHBA-të do të zgjerojnë më tej bazën dhe për këtë arsye, do t'u merret toka bujqësore e cila është i vetmi burim i jetesës.
Banorët e fshatit në rajonin Shaklava në vitin 2016 mbajtën një protestë për shkak se humbën tokat e tyre por edhe se nuk mund të kullosnin bagëtinë e tyre në zonën e militarizuar për arsye të sigurisë.
A po rrit SHBA-ja dominimin në rajon?
Administrata e Washingtonit, më 6 korrik nisi me një ceremoni zyrtare ndërtimin e kryekonsullatës së saj e cila do të ndërtohet mbi një territor prej 51 dynymë, me një kosto prej 795 milionë dollarë, ndërtimi i së cilës do të vazhdojë deri më 2022.
Felah Mustafa, përgjegjës i marrëdhënieve me jashtë të Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut në një fjalim për median në muajin janar 2017, njoftoi se SHBA-ja do të ndërtonte konsullatën më të madhe në botë përsa i përket kapacitetit dhe territorit që përfshin.
Krahas ndërtimit të godinës së konsullatës SHBA-ja që nga viti 2015 e deri tani përdor në mënyrë aktive aeroportin ndërkombëtar të Erbilit dhe bazën ajrore ushtarake Hariri për të transportuar armatime ushtarake për organizatën terroriste PYD/PKK në veri të Sirisë.
Ndërtimi i një konsullate të madhe dhe përdorimi në mënyrë efektive e bazave ajrore ushtarake nga SHBA-ja, ndërkohë që lufta kundër DEASH-it është drejt përfundimit të sjell në mendje pyetjen "A po rrit SHBA-ja dominimin në rajon?".
Baza ajrore ushtarake më e afërt me kufirin iranian
Baza ajrore ushtarake Harir u ndërtua nga lideri i përmbysur irakian Saddam Husein në periudhën e luftës që zgjati rreth 8 vite mes Irakut dhe Iranit.
Në bazën Harir e cila ndodhet në një largësi prej 115 kilometra nga kufiri me Iranin dhe është baza ajrore ushtarake më e afërt me kufirin iranian, është ndërtuar një pistë e shkurtër me gjatësi prej 2 kilometrash ku avionët luftarakë mund të uleshin dhe ngriheshin me urdhrin e Saddamit.
Pasi Qeveria Rajonale Kurde e Irakut shpalli autonominë në vitin 1991, baza ajrore kaloi nën kontrollin e Partisë Demokratike të Kurdistanit nën udhëheqjen e Masoud Barzani.
Gjatë pushtimit të Irakut, më 23 mars 2003, SHBA-ja uli me parashutë 1.000 komando nga Divizioni i 173-të ajror në bazën ajrore të Haririt. Për shkak se pista nuk kishte infrastrukturë të mjaftueshme për uljen e avionëve transportues ajo nisi punimet për zgjerimin dhe forcimin e pistës.
Edhe nga imazhet satelitore shihet se pista e bazës ajrore është zgjatur në fund të secilës anë me nga 200 metra.