Şebnem Coşkun
09 Shkurt 2022•Përditësim: 10 Shkurt 2022
Pasi u largua nga Stambolli në fund të muajit të kaluar për të bërë kërkime shkencore si pjesë e ekspeditës së 6-të të vendit në Antarktidë, ekipi hulumtues turk shkeli sot në kontinentin e ngrirë, raporton Anadolu Agency (AA).
Udhëtimi, i cili zgjati gati tri javë, duke përfshirë një karantinë shtatëditore në Puerto Williams të Kilit, filloi më 21 janar nga Stambolli.
Ekipi prej 20 anëtarësh i Ekspeditës së 6-të Kombëtare Shkencore në Antarktik arriti në Puerto Williams nëpërmjet Madridit në Spanjë pas 22 orësh fluturimesh, tre transferimesh dhe një pritje 33-orëshe.
Pas një karantine shtatëditore në Kili si pjesë e masave kundër COVID-19, ekipi i ekspeditës mbërriti në fund të botës, në ishullin King George të Antarktidës, pas një fluturimi dyorësh.
Gjatë rrugës për në Antarktidë, ekipit iu bashkuan edhe dy shkencëtarë të huaj për të realizuar projektet e tyre, si pjesë e bashkëpunimit me Portugalinë dhe Bullgarinë.
Ekipi, i përbërë nga studiues nga Instituti i Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike i Turqisë (TUBITAK), Komanda e Forcave Detare, Drejtoria e Hartave, Drejtoria e Meteorologjisë, Anadolu Agency (AA), institutet kërkimore dhe universitetet, hipën në Betanzos, një anije me flamur kilian pranë ishullit King George për 30 ditë punë shkencore.
Studime shkencore me pajisje kombëtare
“Dallimi në ekspeditën e këtij viti është se e bëjmë atë brenda kornizës së masave kundër COVID-19. Ne dërguam ekipin tonë të ekspeditës në Antarktidë pa asnjë mangësi falë procesit të karantinës”, tha Burcu Özsoy, drejtoresha e Qendrës Kërkimore Polare Marmara të TUBITAK-ut.
“Me pajisje kombëtare nga kompanitë turke të mbrojtjes Aselsan, Havelsan dhe Instituti i Kërkimit dhe Zhvillimit të Industrisë së Mbrojtjes së TUBITAK-ut (SAGE), ne do të bëjmë punën duke garantuar shëndetin dhe sigurinë për udhëtimin tonë, dhe në të njëjtën kohë duke testuar këtë pajisje”, shtoi ajo.
Özgün Oktar, ndihmësdrejtuesi i ekspeditës përgjegjës për logjistikën, tha se tani është koha për të filluar punën në terren që ekipi ka përgatitur për një vit të tërë.
“Furnizimet e anijes sonë tani janë kompletuar. Pas kësaj, ne do të nisemi për një udhëtim sfidues pesëditor”, tha ai.
“Do të shohim shumë baza shkencore gjatë rrugës, por për fat të keq nuk do të vizitojmë asnjë prej tyre këtë vit për shkak të pandemisë”, shtoi ai.
Ekipi prej 20 anëtarësh dhe ekuipazhi i anijes prej 30 personash do të izolohen në anije për muajin e ardhshëm dhe do të fillojnë aktivitetet shkencore në kampin e përkohshëm shkencor në ishullin Horseshoe, tha Oktar.
Hasan Hakan Yavaşoğlu, ndihmësdrejtues i ekspeditës, tha se gjithsej 14 projekte shkencore do të kryhen në shkencat e jetës, shkencat e tokës dhe shkencat fizike, me 29 institucione si palë të interesuara.
Do të kryhen studime mbi biodiversitetin e ishullit Horseshoe, florën fungale të likenizuar, speciet zooplanktone, zhvillimin gjeologjik dhe parametrat atmosferikë, nivelet e detit, lëvizjet tektonike, ndryshimin e akullnajave dhe trashësinë e borës.
“Gjatë pesë viteve të fundit, 86 botime dhe dhjetëra libra dhe teza shkencore janë prodhuar nga studimet shkencore të kryera në kontinentin Antarktik”, tha Yavaşoğlu.
“Këtë vit do të jemi në terren me projekte që do të kontribuojnë në literaturën kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi hulumtuesi turk.